Patriotizmi i të majtes fashiste dhe të folunit për vrasjën me lehtësi t’padurueshme

1.
Patriotizmi në Ballkan âsht i lidhun si mishi me thonin me elementet kriminale dhe shpesh shkrihen në njani tjetrin.

Ideja ndër disa shqiptarë të Kosovës së të vrasësh serbë në kushte paqje, paçka se t’pafajshëm dhe në vend të vet, (lavdata se vrasja e nji të riu serb në vendin e tij të punës nga nji shqiptar etnik âsht akt trimnie, në fakt âsht thirje për eksportmin e terrorizmit dhe në thelbin e vet fashizëm) na qenka heroizëm, âsht jo e gabueme por fatale për imazhin e nji shoqnie!

Rebeli grabitës dhe vrasës gjakftohtë ndër ne, përmes politikanëve fodull e të shkretë, të strukturave kriminale, parapolitike, kthehet në hero kombëtar dhe merr vlerësim popullor (krahinor), tue u bâ madje personazh trimnie kafehanesh të pista ballkanike dhe hero epik në kangët folklorike!?

Heroiizimi i kriminelit âsht produkti i vetëm i nacionalizmit të majtë, pra fashizmit.

2.
Banditët simas Eric Hobsbawm e tejkalojnë etiketën e kriminelëve; ata janë grabitës dhe të jashtëligjshëm, të ngritun në statusin e hakmarrësve dhe kampionëve të drejtësisë sociale. Disa, si Robin Hood, Rob Roy dhe Jesse James, janë botnisht të famshëm, si figura mitike é ballkanike.

Të tjerët, si haidukët ballkanikë, njihen vetëm për krahinën e tyne dhe bashkatdhetarët. Në studimin e tij të famshëm për këto figura hajduqësh, Eric Hobsbawm, i cilëson “mashtrues historik verbues, t’mbushun me ide dhe histori të çuditshme” (The Guardian).

Figura e heroizueme e kriminelit, simas Hobsbawm shfaqet në nji kohë kur shpërbâmja e pushtetit shtetnor krijon kushte pjellore për lulëzimin e banditizmit në shumë pjesë të botës.

Dhe në lëngatën e institucioneve demokratike nxjerr krye budallallëku si fuqi, ngase âsht shumicë!

3.
“Budallallëku është anmik ma i rrezikshëm i të mirës sesa ligësia. Kundër të keqes mund të protestohet, ajo mund të demaskohet, kur s‘ka shtegdalje tjetër, munet me u parandalu me forcë; e keqja gjithmonë mbart farën e vetëshkatërrimit brenda saj, tue lanë mas shumë shqetësime njerëzore.

Kundër budallallëkut jemi të pafuqishëm. As me protesta, as me forcë nuk munet me u bâ asgjâ, arsyet nuk bâjnë punë; faktet që kundërshtojnë paragjykimin vetjak thjesht nuk duhen besu – në raste të tilla, budalla madje bëhet kritik, dhe kur ato janë të pashmangshme, mund të anashkalohen thjesht si raste të izolueme pa rëndësi. Ndërkohë, budalla, ndryshe nga i ligu, âsht plotësisht i kënaqun me veten, madje bâhet i rrezikshëm tue kalu lehtë në sulm, kur provokohet. Prandaj duhet me pasë na shumë kujdes nga budalla sesa nga i ligu”, shkruen Dieter Boenhoeffer, teolog luterian gjerman, i ekzekutuem në nji kamp përqendrimi. (Cit. simas ER.)

4.
Budalla ka sëkëndejmi rol t’habitshëm në histori, ai bân kthesa shoqnore gjithnji prapsht tue nxitë nji akt budallallaku që shndërrohet shpejt në patlogji shoqnore.

Heroizimi i kriminelit ballkanik nga budalltë e politikës krijon modelin mâ të pështirosun folklorik, i cili besohet nga injorantë dhe konspiracionistat p’ej tina thurrin trille t’poshtra, kinse hajduqt kanë nji mision!

*Ky shkrim është marrë nga profili në Facebook i autorit, ku edhe u botua fillimisht.

Lavdi marrzisë ose hajduku ballkanik / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version