Në korrik 1995, është shkruar një nga kapitujt më të errët në historinë moderne evropiane. Mbi 8,300 djem dhe burra janë vrarë sistematikisht dhe janë varrosur në varre masive në kodrat që rrethojnë qytetin e Srebrenicës. Sot, 29 vjet më vonë, 14 prej atyre viktimave, të cilët u identifikuan së fundmi, do të prehen në Memorialin dhe varrezat Srebrenicë–Potoçari. Për familjet dhe të dashurit e tyre, kjo periudhë e gjatë dhe e dhimbshme pasigurie më në fund merr fund.

Srebrenica mbetet një plagë e thellë në historinë e Evropës. Dështimi për të parandaluar këtë gjenocid është një barrë që ne vazhdojmë ta mbajmë. Të dyjat, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i kanë përcaktuar pa mëdyshje këto mizori si gjenocid.

Ne u zotuam të mos harrojmë kurrë – as viktimat por as dhimbjen e vazhdueshme të familjeve tdhe të të dashurve të tyre. Kujtimi i tyre na detyron të punojmë çdo ditë për të siguruar që historia të mos përsëritet, në një botë ku paqja ndihet gjithnjë e më e brishtë.

Duke caktuar 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka ngritur rëndësinë e kësaj tragjedie përtej Evropës.

Megjithatë, një tendencë shqetësuese për mohim ende vazhdon në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin. Çdo mohim i këtij gjenocidi është një fyerje e thellë për drejtësinë dhe një pengesë për pajtimin. BE-ja ka një qëndrim të qartë: nuk mund të ketë vend për mohimin e gjenocidit, revizionizmin historik apo glorifikimin e kriminelëve të luftës në shoqëritë që vlerësojnë të vërtetën dhe drejtësinë.

Pajtimi është përgjegjësi e të gjithëve. Nuk është një qëllim abstrakt: duhet të jetë një praktikë e përditshme që përshkon politikën, arsimin dhe të gjitha anët e jetës së përditshme. Veçanërisht është roli i liderëve politikë në rajon që të refuzojnë retorikën përçarëse dhe të promovojnë në mënyrë aktive pajtimin. Kjo kërkon pranimin e fakteve historike, nderimin e viktimave dhe nxitjen e një kulture paqeje dhe bashkëpunimi.

Në mars, krerët e vendeve anëtare të BE-së vendosën të hapin negociatat e anëtarësimit të BE-së me Bosnje dhe Hercegovinën. Fillimi i këtij udhëtimi drejt anëtarësimit në BE sjell shpresë të re për stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e BeH. Kjo nënvizon angazhimin e BE-së për të mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën në krijimin e një shteti dhe një shoqërie demokratike funksionale ku mbizotërojnë pluralizmi, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor.

Ne treguam se kjo është e mundur: vetë BE-ja është konceptuar që të sjellë paqen dhe pajtimin në një kontinent evropian të ndarë prej kohësh nga luftëra të përgjakshme vëllavrasëse. Kjo nuk do të ishte e mundur pa pranimin e fakteve historike të vërtetuara dhe një zotimi për të ndërtuar institucione të afta për të siguruar një paqe të qëndrueshme.

Gjenocidi i Srebrenicës është një kujtim i zymtë e asaj që mund të ndodhë kur urrejtja ndizet dhe ajo promovohet nga elitat politike. Është detyrë e jonë e përbashkët që të sigurojmë që ky kujtim të shërbejë si një kujtim i fuqishwm i pasojave të një urrejtjeje dhe jotolerance të tillë. Është detyrë e jonë e përbashkët që të sigurohemi që këto mizori të mos ndodhin më kurrë. Bashkimi Evropian qëndron përkrah Bosnjë dhe Hercegovinës në këtë përpjekje.

(Opinion i shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell në përvjetorin e 29-të të Gjenocidit të Srebrenicës).

Kujtimi i Srebrenicës: Përballja me historinë për të ndërtuar paqen / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version