Kryeministrit Albin Kurti dhe anëtarëve tjerë të Qeverisë së tij në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës, po u kërkohet të lirojnë pozitat që kanë mbajtur për katër vite në ekzekutivin e vendit. Për rrjedhojë, po dështon konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit. Anëtarët e Qeverisë po thirren në praktikat e kaluara dhe kryeministri po e konsideron kërkesën për dorëheqje si të padrejtë, pasi paraardhësve të tij në këtë funksion nuk u ishte kërkuar kjo gjë. A po i hyhet Kurtit, viktimës së përjetshme politike, në hak?

Rëndom, diskutimet mbi çështjet kushtetuese në Kosovë nuk janë produkt i ndonjë paqartësie substanciale. Në fakt, ne priremi që të prodhojmë “çështje kushtetuese” pa qenë të tilla. Zakonisht janë çështje procedurale, rregullat juridike të të cilave janë gjuhësisht të qarta dhe, nëse shikohen në tërësinë e rendit kushtetues dhe ligjor, kristalizohet edhe më shumë veprimi që një bartës i funksionit duhet ta ndërmarrë, me qëllim që të përmbushet detyrimi që buron nga norma konkrete.

Edhe kësaj here, sikurse në të kaluarën, “çështja kushtetuese” është rezultat i luftës së egove dhe nuk buron nga paqartësia juridike. Përderisa kryeministri Kurti në njërën anë thekson se atij po i kërkohet dorëheqje, që paraardhësve të tij nuk u është kërkuar, e në anën tjetër shkruan se ai vetëm se konsiderohet “i dorëhequr” sipas Ligjit për Qeverinë, ministrat e tij po theksojnë se dorëheqjet e tyre nënkuptojnë fundin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Një non-sens i llojit të vet, më shumë tragjik sesa qesharak, në demokracinë tragjiko-komike të Kosovës.

Mirëpo, le t’i qasemi objektivisht kësaj situate, duke e vlerësuar të vërtetën dhe të shkëputur nga gjysmë të vërtetat.

Është fakt notor se asnjëri nga paraardhësit e Kurtit nuk është dorëhequr e as nuk e ka liruar pozitën në Qeveri, edhe nëse është zgjedhur deputet. Kryeministri Hoti kishte njoftuar Kuvendin se nuk merr pjesë në seancën konstituive, për shkak se nuk e konsideronte në përputhje me Kushtetutën që të betohej si deputet e të vazhdonte të ishte kryeministër. Pas zgjedhjes së Qeverisë së re, ai i dorëzoi detyrën kryeministrit të ri.

Pse pra tani ky insistim për Kurtin? Mos vërtet kryeministri dhe ministrat kanë të drejtë?

Jo. Përgjigjja është e qartë. Kurtit nuk po i kërkohet diçka tjetër, sepse Kurti nuk është në situatën e njëjtë me paraardhësit e tij, jo pse bëhet fjalë për të, por për shkak të ndryshimeve ligjore të cilat kjo shumicë qeverisëse në vitin 2022 i miratoi. Kjo përbërje e Qeverisë është e para që përfundoi mandatin e plotë në Republikën e Kosovës. Është poashtu e para që ligjërisht i ka rregulluar veprimet e anëtarëve të Qeverisë në detyrë që zgjidhen deputetë të Kuvendit, përmes ligjit të miratuar në vitin 2022. Pra, në të kaluarën nuk ka pasur dispozita juridike që kanë rregulluar këtë procedurë.

Neni 72 i Kushtetutës së Kosovës e ndalon deputetin e Kuvendit të Kosovës që të mbajë ndonjë pozitë ekzekutive. Kushtetutëdhënësi në fundin e këtij neni e ka autorizuar Kuvendin që me ligj ta rregullojë këtë çështje. Në vitin 2022 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili në nenin 26, paragrafi 1, thekson se “në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”

Theksi i dispozitave kushtetuese dhe ligjore vihet në faktin se “deputeti s’mund të mbajë pozita ekzekutive”, “ajo çështje specifikohet me ligj”, ligji është miratuar në vitin 2022 dhe i referohet anëtarit të “Qeverisë në detyrë”, i cili është zgjedhur deputet dhe të njëjtin e obligon që të dorëhiqet “para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.

Neni 26.1 i Ligjit për Qeverinë është i qartë, ka karakter obligues dhe i referohet pikërisht Qeverisë në detyrë, përderisa urdhëron anëtarët e saj që të lirojnë postin që mbajnë. Fakti se Qeveria ka statusin e “Qeverisë në detyrë”, nuk nënkupton se kryeministri dhe anëtarët tjerë të Qeverisë në detyrë konsiderohen të dorëhequr dhe s’kanë nevojë të dorëzojnë aktin formal të dorëheqjes. Përkundrazi, ata Do duhej të dorëhiqeshin formalisht dhe të lirojnin funksionin, pra edhe zyrat, para se rezultati i zgjedhjeve të certifikohej. Në të kaluarën, me kërkesën e Presidentit të Shtetit, në bazë të parimeve kushtetuese të një sistemi parlamentar dhe pa rregullim specifik ligjor, kryeministri apo ndonjë nga zëvendësit e tij do të mund të ushtronte funksionin me rol komisar. Me rregullimin ligjor të kësaj çështjeje, në dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave, kompetencat komisare të një kryeministri dhe ministri në detyrë i ushtron zëvendëskryeministri i parë në detyrë, respektivisht zëvendësministri.

Kryeministrit nuk po i hynë në hak. Në fakt, ai si çdoherë, po prodhon kriza përmes të cilave e imponon figurën e shpëtimtarit të Republikës, të cilën, deri sa u zgjodh kryeministër dhe sa herë e lyp puna, e mohon.

Me lirimin e pozitave në Qeveri, Republika e Kosovës nuk mbetet pa shtet dhe institucione, siç po theksojnë ministrat, por ata mbesin pa pozita dhe pa mundësi që të përfitojnë nga abuzimi sistematik i pushtetit.

Kryeministri deputet: Kurti – viktimë apo agresor? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version