Historia e Kosovës, shtetit që u përball me luftë 25 vjet më parë, fotoreporterit amerikan me bazë në Ukrainë, Brendan Hoffmanit, i jep shumë shpresë për të ardhmen e Ukrainës.
Një nga fotografitë e tij nga ditët e para të pushtimit të Ukrainës është pjesë e ekpozitës “Ukraina: Një krim lufte”, që u hap në qendrën Barabar, në hapësirat e hotelit Grand n Prishtinë më 29 prill, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ekspozita rrjedh nga libri me po të njëjtin emër që është botuar nga FotoEvidence, i cili përfshin mbi 360 fotografi dhe rrëfime të dëshmitarëve që hedhin dritë mbi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që Rusia nisi më 24 shkurt 2022.
Hoffman, që jeton në Kiev prej fundit të vitit 2013, dhe është i martuar me një ukrainase, thotë se për të është e rëndësishme të mësojë për historinë e Kosovës.
“Për mua ka qenë e rëndësishme që të mësoj për paralelet, çfarë ka kaluar ky shtet 25 vjet më parë dhe kjo po ndodh tani në Ukrainë. Tani Kosova është shtet i pavarur, paqësor. Kjo më jep shumë shpresë për të ardhmen e Ukrainës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në ekspozitën e hapur në Prishtinë është përfshirë edhe fotografia që ai shkrepi më 25 shkurt 2022, një ditë pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Atëbotë, gruaja e tij ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe për të mos rrezikuar që të bllokoheshin në kryeqytetin ukrainas, vendosën që të largoheshin. Ai thotë se gjatë rrugës, u ndalë në një nga pikat ku ushtria ukrainase jepte armë për njerëzit që donin të luftonin kundër Rusisë.
“Pamë në internet një listë të vendeve të ndryshme në mbarë vendin ku ushtria po jepte armë për çdo burrë në moshën për shërbimin ushtarak që dëshironte t’i rezistonte pushtimit rus. Ne shkuam në njërin prej tyre, na lanë të fotografonim dhe këta janë burra që donin të luftonin dhe armët që iu dhanë”, tregon ai.
Djali i tij lindi në Poloni dhe Hoffman së bashku me familjen e tij, tani sërish jeton në Kiev.
“Personalisht dhe profesionalisht, është e rëndësishme për mua që të jem atje dhe të vazhdoj të dokumentoj”, thotë Hoffman, puna e të cilit është shfaqur edhe në New York Times.
Për kuratoren e ekspozitës, Svetlana Bachevanova, këto fotografi janë dokumente të rëndësishme.
“Fotografitë janë prova. Siç e vini re, titulli i librit është ‘Ukraina: Një krim lufte’. Pra, shumë nga veprat që janë botuar janë krim lufte. Ideja ishte që të mblidheshin dhe të publikoheshin në mënyrë që askush të mos mund t’i mohonte, siç ka ndodhur shumë herë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Bachevanova nga Bullgaria, e cila gjatë luftës në Kosovë ka punuar si fotoreportere, thotë se “kam fotografuar imazhe që kanë shkuar si dëshmi e krimeve të luftës në Kosovë”.
“Por, pjesa e rëndësishme është se Kosova nuk ka një libër që dokumenton atë që ka ndodhur. Shumë krime lufte nuk hetohen, shumë çështje nuk zgjidhen dhe nuk ka prova. A do të fajësoni për këtë? Jo, nuk fajësoj askënd. Njerëzit thonë se historia shkruhet nga fituesit. Fituesit shkruajnë historinë. Unë do të thosha se ndonjëherë, botues i guximshëm gjithashtu”, thotë ajo.
Ekspozita është hapur në Hotelin Grand në qendër të Prishtinës. Për Lura Limanin nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, i cili e ka mbështetur këtë ngjarje, vendi ku po mbahet ekspozita ka kuptim të shumëfishtë, pasi përveç se ka qenë një vend ku kanë qëndruar gazetarët ndërkombëtarë që kanë raportuar për luftën në Kosovë më 1998-99, “ka qenë edhe bazë për trupat paramilitare [serbe] që dyshohet se kanë torturuar civilë shqiptarë” në ndërtesën e këtij hotelit.
Kosova është solidarizuar me Ukrainën menjëherë pas nisjes së pushtimit. Shteti ka ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke vendosur dhjetëra runde sanksionesh ndaj Rusisë si dhe ka strehuar gazetare ukrainase në Kosovë.
Njëra ndër to është edhe Lyudmila Makey, e cila mori pjesë në ekspozitë. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihet mirënjohëse për të gjithë mbështetjen që i bëhet atdheut të saj.
“Kur shikoj këto fotografi brengosem shumë. Më kujtohet dita e parë e pushtimit. Ishte dita më e tmerrshme e jetës sime”, thotë ajo.
Makey tregon se vajza e saj, që kishte qëndruar në Gjermani pas nisjes së luftës, tashmë është kthyer në Ukrainë dhe po jeton në Kiev.
“Çdo ditë më shkruan: ‘mami jam gjallë’. Çdo ditë qëndron nga dy-tre orë në bodrum për shkak të granatimeve e bombardimeve. Ëndrra ime është që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt. Kjo është ëndrra ime. Ne duhet të fitojmë. Duhet të korrim fitore, kjo është e rëndësishme”, thotë ajo.
Edhe fotoreporteri Hoffman vë në pah rezistencën e popullit ukrainas dhe thotë se këdo që e njeh, i shpreh bindjen se lufta do të fitohet nga ta. Megjithatë, ai thotë se për shkak të kohës së gjatë, njerëzit edhe janë lodhur pasi nuk e dinë edhe sa do të zgjasë lufta.
“Është shumë e vështirë pa të ardhme. Por, ukrainasit po mbahen”, thotë ai, duke shtuar se vendosmëria e popullit ukrainas për t’i bërë ballë pushtimit për të është inspiruese.
Ekspozita “Ukraina: Një krim lufte” në Prishtinë do të jetë e hapur deri më 17 maj. Kjo ekspozitë veçse është shfaqur në Tiranë dhe ndalesat e radhës do të jenë në Shkup, Beograd dhe Sofje.
Lufta e vazhdueshme në Ukrainë ka lënë të vrarë qindra mijëra njerëz, miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shteti, ndërkaq po ashtu janë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.
Para se të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Rusia më 2013 aneksoi në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështeti separatistët në rajonet lindore Ukrainës në luftën e tyre kundër forcave ukrainase.
Radio Evropa e Lirë
“Kosova më jep shpresë për të ardhmen e Ukrainës” / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.