Deklarimi i sotëm i raportueses evropiane për Kosovën, Viola von Cramon është fort problematik për disa arsye. Kur bëhet fjalë për çështjen e trashëgimisë ortodokse, ajo shërbehet vetëm me ato që i dëgjon nga peshkopi Teodosije nga Eparkia Rashkë-Prizren.

Tashmë është bërë shprehi e shëmtuar e diplomatëve të huaj që narracionin e hallkave lokale të Kishës Pravosllave në Beograd ta marrin si pasqyrën e vetme rreth trashëgimisë ortodokse në Kosovë. Nëse i reevaluojmë kumtesat e Eparkisë Rashkë-Prizren, shumica e tyre nuk kanë kurrfarë preokupimi për çështje tamam fetare të komunitetit ortodoks. Shumica e tyre përshkohen nga propaganda për gjoja rrezikun e përhershëm që iu vjen nga shteti i Kosovës dhe nga shumica shqiptare—anipse Kosova ka bërë koncesione të tejzakonta nëpërmjet ekstraterritorialitetit dhe benefiteve të tjera ligjore, ashtu sikundër edhe qasja mirëdashëse e tolerante e shqiptarëve është faktori kryesor në ruajtjen e kësaj trashëgimie.

Nuk ka kurrfarë përpjekje për “shqiptarizim” e as për tëhuajësim të identitetit të kishave e manastireve ortodokse. Që të bëhej një akuzë si kjo, do të duhej të ekzistonin fushata e ndërmarrje të sponzorizuara nga vetë shteti, por një gjë e tillë nuk është bërë e as që do të bëhet ndonjëherë. Edhe akuza tjetër, të cilin von Cramon e mori të mirëqenë, mbështetet njashtu mbi spekulime. Nuk ka kurrfarë përpjekje për rishkrim të historisë. Kaq e qartë është kjo!

Po të përcillet aktiviteti i vëllazërisë murgjërore të Manastirit të Deçanit në platformën “X”, vërehet një padurim i plotë ndaj kujtdo që merret, në një mënyrë ose tjetër, me historinë e kishave dhe manastireve ortodokse. Kjo flet vëllimshëm sesi Kisha Pravosllave, dhe hallkat e saj në nivele më të ulëta, e përjetojnë veten sikur kanë monopol për të folur për gjithçka ortodokse.

Diskutimet shkencore e joshkencore për trashëgiminë shumëshekullore ortodokse janë të lira, dhe si të tilla nuk kanë pse të marrin leje prej askujt e as të jenë rob prej një ndjeshmërie të shtirur.

Nuk duhet të ketë fobi ndaj realiteteve të dikurshme fetare në Kosovë, ku edhe vetë shqiptarët kanë pasur një hise të ndjeshme. Përmendja e shqiptarëve si entitet i dallueshëm etnik në burimet bizantine, si fjala vjen te Ataliati më 1040, është e bashkëshoqëruar me cilësimin “homothreskeía”, pra një bashkëfetarësi me pjesën tjetër të botës ortodokse bizantine. Këto realitete, mandej, u fosilizuan edhe në leksikun e vjetër të shqipes me huazime nga greqishtja kishtare si kllogjën (nga καλόγερος), munështir (nga μοναστήρι), fli (nga εὐλογία), korë (nga εἰκόνα), e kështu me radhë.

Deri në autoqefalizimin e Kishës Pravosllave me 1219, janë dy shekuj të pakëputur afrimiteti me Kryepeshkopatën e Ohrit. Prizreni, Lipjani e pjesërisht edhe Rasi mbulonin praktikisht krejt Kosovën e sotme, dhe si gjuhë liturgjike ishte greqishtja kishtare. Dhe nuk mund të ishte ndryshe kur në tri burimet e para hagiografike serbe Kosova e sapopushtuar identifikohej si “grčke zemlje” (tokë greke) —

kjo sebep besimit ortodoks në Kosovë. Megjithë rikonfigurimet dhe demarkimet e reja fetare, tradita ortodokse në Kosovë, qoftë bizantine, qoftë pravosllave, është ruajtur gjer vonë nga shumica shqiptare, gjë që dëshmohet nga plot udhëpërshkrues.

Është gjë arbitrare dhe dashakeqe që serbizmi i manastireve dhe kishave ortodokse të projektohet thellë në kohë, madje në periudhën paramoderne. Vetë identitetet janë të negociueshme në varësi të rrethanave të jashtme, dhe Cremoni do të duhej të vihej në dijeni me një fakt interesant: prej vitit 1903 deri më 1916, manastiri i Deçanit, nga një marrëveshje mes ruso-serbe, u qeveris praktikisht prej kallogjerësh rusë të ardhur nga Atosi. Dokumentet konsullore të kohës flasin për atin Kiril dhe atin Varsofoni që drejtonin manastirin, madje qysh në atë kohë u akuzuan se vodhën dokumente mesjetare nga Manastiri dhe i dërguan ato në Atos. Është ironike sesi konsullata serbe në Prishtinë, dhe Ministria e Jashtme në Serbi, ankoheshin gjithë shqetësim se një pjesë e serbëve në Kosovë kishin nisur ta deklaronin veten rusë mu për shkak të simpatisë për këta kallogjerë. Kjo kishte ngjarë edhe me 1872 kur u themelua Ekzarkati bullgar dhe pjesa më e madhe e elementit sllavishtfolës në rrafshin e Kosovës u deklarua si “bullgare”. Janë të gjitha këto dromca që flasin se realitetet e dikurshme ishin krejt të tjetëfarshme nga sot, dhe është nonsens i llojit të vet projektimi i të sotmes në të kaluarën.

Dëgjo Cramon: Na ishte dikur një ortodoksi shqiptare / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version