Me më pak se gjashtë muaj deri në zgjedhjet nacionale, Qeveria e Kosovës e filloi misionin e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të veturave, duke e lyer atë dhe duke e testuar për kapacitetet mbajtëse.
Ura, e cila është e hapur për qarkullim të këmbësorëve, ka qëndruar për kohë të gjatë si simbol i ndarjes, duke ndarë popullsinë kryesisht serbe në veri, nga komuniteti shumicë shqiptar në jug.
Vendimi për hapjen e Urës për qarkullim të veturave u mor njëanshëm dhe pa koordinim paraprak, duke nxitur kundërshtim nga komuniteti lokal, vendet perëndimore, po edhe nga pjesëtarët e shoqërisë civile dhe opozitës në Kosovë.
Qeveria e Kosovës është futur në një gjendje të çuditshme sa i përket kësaj çështjeje dhe duket se është në luftë me secilin partner të mundshëm.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se tani nuk është koha për hapjen e Urës, duke thënë se nuk ka kuptim “t’i prishim të gjitha urat që i kemi, për ta hapur një të tillë”. Aktualisht, Hamza ndodhet në vizitë zyrtare në Washington D.C., ku po takohet me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësues të think tank-eve.
Përveç kësaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka deklaruar se është e shqetësuar se veprimet e njëanshme të Qeverisë do t’i konfliktojnë partnerët dhe do ta pengojnë rritjen ekonomike.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka paralajmëruar se hapja e Urës për qarkullim të veturave në këtë moment do t’i rrezikonte ushtarët amerikanë, ndërsa Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja kundër Kosovës.
KFOR-i dhe EULEX-i kanë rritur praninë e tyre dhe kanë sjellë automjete të blinduara në urë. KFOR-i e ka bërë të qartë se do të vazhdojë të ketë prani të përhershme në urë.
Komuniteti serb ka qenë këmbëngulës se nuk dëshiron hapjen e urës për qarkullim të veturave. Ata ndihen të kërcënuar dhe intimiduar nga Qeveria Kurti, e cila ka ndërmarrë disa aksione policore me pretekstin e forcimit të rendit dhe ligjit, duke injoruar nevojat e banorëve lokalë.
Më shumë se 400 gra nga veriu e kanë nënshkruar një peticion dhe kanë kërkuar ta takojnë Komandantin e KFOR-it, për t’i treguar frikën e tyre për rihapjen e urës për qarkullim të veturave.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka refuzuar zbatimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje kjo e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe e mandatuar për zbatim nga Gjykata Kushtetuese.
Mosimplementimi i këtij Asociacioni ishte arsyeja kryesore pse serbët e Kosovës u larguan kolektivisht nga institucionet shtetërore në vitin 2022.
Kryeministri Kurti nuk është përpjekur të bashkëpunojë me komunitetin, duke dështuar kësisoj ta përmbushë premtimin e tij për nisjen e dialogut të brendshëm me serbët e Kosovës. Në vend të bashkëpunimit, Kurti po e përdor situatën në veri si mjet politik për ta ushqyer populizmin dhe për rritje elektorale.
Marrë parasysh zbatimin selektiv të ligjit, pretendimi se Qeveria e Kosovës po tenton ta rihapë Urën e Ibrit për të mirën e përgjithshme dhe duke e respektuar ligjin, thjesht nuk është kredibil.
Megjithatë, përkundër kundërshtimeve, Qeveria e Kosovës insiston për hapjen e Urës. Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në një postim të tij në rrjetin social X, pretendonte se çështja e Urës është zgjidhur në dialogun e vitit 2016 dhe nuk ka arsye për t’u kthyer pas. Gjithashtu, ai pretendonte se Qeveria i ka dëgjuar komunitetet.
Të gjitha këto pretendime janë dukshëm të pavërteta. Rihapja e Urës ka qenë gjithmonë synim; megjithëkëtë, para hapjes së Urës për qarkullim të veturave, duhet të zgjidhen disa çështje, siç janë: siguria, përcaktimi i kufijve komunalë dhe koordinimi me komunitetet.
Për më shumë, është e pavërtetë se Qeveria e ka dëgjuar popullsinë nga ndonjëri komunitet. Të enjten e kaluar, ajo mbajti një takim publik vetëm në pjesën veriore, nuk u përgjigj plotësisht në pyetjet e askujt dhe vetëm u tha njerëzve se siguria është nën kontroll dhe ura do të hapej.
Kur zhvillohen konsultime me komunitetin, kërkohet që të dëgjohen shqetësimet e njerëzve dhe ato të merren në konsideratë para se të merret ndonjë vendim. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës së pari mori vendim për rihapjen e Urës, e më pas, disa ditë më vonë, mbajti një diskutim publik sipërfaqësor.
Gjithashtu, policia i arrestoi dy përfaqësues politikë të opozitës dhe aktivistë të komunitetit para se të fillonte takimi. Kur një gazetare shqiptare pyeti se çka do të ndodhte sikur KFOR-i nuk do të pajtohej me vendimin e tyre, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i tha asaj të mos e kërcënonte me një pyetje të tillë.
Kosova tani ballafaqohet me një pikë kritike: a do të rrezikojë Qeveria e Kosovës të konfrontohet me KFOR-in dhe komunitetin ndërkombëtar? A është kjo për komunitetin ndërkombëtar pika e kuqe që Kurti s’mund ta kalojë? Nëse po, a do të ndërmarrin masa që do t’i dëmtojnë kosovarët?
Sipas ambasadorit të SHBA-së, Jeffrey Hovenier, nuk ka shumë entuziazëm për t’i ndihmuar Kosovës të futet në institucione ndërkombëtare, apo për të punuar bashkërisht për ta vazhduar përparimin drejt BE-së. Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, tha se Kosova rrezikon që aplikimi i saj për anëtarësim në BE “të mbetet në kuti postare”.
Por, pyetja më e nxehtë është se sa është në gjendje të tolerojë populli i Kosovës? Kosova, këtë vit, e humbi mundësinë të anëtarësohet në Këshillin e Europës. Me ligjin e ri, mediat po goditen e kjo është kundër standardeve demokratike. Kjo qeveri nuk ka bërë shumë në infrastrukturë, reformim të arsimit apo shëndetësisë, si dhe emigrimi është në rritje e sipër.
A ia vlen kaq shumë vozitja në një urë? Duket se për t’i fituar zgjedhjet, nacionalizmi mund të jetë strategji më efektive sesa zbatimi i politikave publike. /Sbunker
A ia vlejnë gjithë këto telashe për të vozitur në Urën e Ibrit? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.