Mbase i keni parë fotografitë tashmë. Ndoshta i keni parë qindra herë. Një fishkëllim në ajër, gjaku që rrjedh nga veshi, një flamur amerikan mbi të dhe shprehje të fytyrës së tij. Trumpi brofi në këmbë pas tentim atentatit në Pennsylvania dhe buzët që i lexoheshin: “Luftoni! Luftoni! Luftoni”. Po të kërkonit në gjeneruesin e inteligjencës artificiale për fotografi “presidenti më i fortë amerikan”, nuk do të dilte diçka as gjysmë më e fuqishme se kjo.

Sigurisht, nuk ka asgjë pozitive për aktin e tmerrshëm politik që la një person të vrarë dhe vetë atentatorin. Por për sa i përket pamjeve për fushatën presidenciale të Trumpit? Epo, siç tha vetë Trumpi për New York Post të dielën: “Shumë njerëz thonë se është fotoja më ikonike që kanë parë ndonjëherë”. Ai shtoi: “Ata kanë të drejtë dhe unë nuk vdiqa. Zakonisht duhet të vdesësh për të pasur një foto ikonike”.

Ka ende shumë gjëra që nuk dimë për atë që ndodhi të shtunën. Ne dimë kush është atentatori i dyshuar – FBI e ka identifikuar atë si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç – por nuk dimë pse e bëri këtë. Crooks ishte republikan i regjistruar, por të dhënat tregojnë se kur ishte 17 vjeç, ai bëri një donacion prej 15 dollarësh për ActBlue, komitet veprimi politik që mbledh para për politikanët demokratë. Me informacionin që kemi tani, është e vështirë të përshkruajmë Crooksin si ekstremist të majtë.

Kjo nuk do t’i ndalë republikanët, të cilët tashmë po fajësojnë Joe Bidenin dhe demokratët për të tentim atentatin. Përsëri, ka ende shumë gjëra që nuk dimë për atë që ndodhi saktësisht, por e vetmja gjë që mund të themi me siguri është se aleatët e Trumpit do të shfrytëzojnë çdo pikë të mundshme të kapitalit politik nga ky rast.

“Kjo ishte përpjekje për vrasje e ndihmuar dhe mbështetur nga e majta radikale dhe media e korporatave që e cilëson vazhdimisht Trumpin si kërcënim për demokracinë, fashist, ose më keq”, shkroi senatori Tim Scott në Twitter të shtunën.

“Premisa qendrore e fushatës së Bidenit është se presidenti Donald Trump është fashist autoritar që duhet ndalur me çdo kusht”, shkroi po ashtu senatori i Ohajos, JD Vance në Twitter. “Ajo retorikë çoi direkt në përpjekjen për vrasjen e presidentit Trump”.

Vance ka të drejtë në pikën e parë. Premisa qendrore e fushatës së Bidenit është se Trumpi është kërcënim ekzistencial për demokracinë. Kjo frazë është përsëritur vazhdimisht. “Ekziston kërcënimi ekzistencial: është Donald Trump,” tha Biden në një mbledhje fondesh në shkurt. “Trumpi përbën kërcënim ekzistencial për të drejtat e abortit në Pensilvani”, tha përfaqësuesja demokrate e SHBA-së, Mary Gay Scanlon në një konferencë për shtyp në prill. Kongresmeni demokrat Gregory Meeks e quajti Trumpin  “kërcënim ekzistencial për demokracinë” këtë muaj në MSNBC.

E gjithë kjo është ende e vërtetë. Por tani që ka pasur kërcënim dramatik për ekzistencën e Trumpit, ajo pikë e debatit humbet fuqinë e saj. Sa herë që një demokrat e ngre atë, republikanët mund të pretendojnë se ata po vënë jetën e Trumpit përsëri në rrezik. Prisni që kjo frazë të fillojë të zbehet. Përpjekja për vrasjen e Trumpit e ka bërë shumë më të vështirë për demokratët që të theksojnë sa të rrezikshme do të ishin politikat e tij. Në vend të kësaj, ata do të kalojnë javët e ardhshme duke folur për qytetarinë dhe duke dënuar dhunën. (Dhe, sigurisht, çdo lloj dhune duhet gjithmonë të dënohet fuqimisht. Është vetëm turp që të njëjtët politikanë që dënojnë dhunën politike tani nuk kanë asnjë problem për të lëshuar ferrin mbi fëmijët në Gaza. Dhuna, duket, dënohet vetëm kur prek njerëz të caktuar.)

Një tjetër pikë e madhe e debatit për demokratët është 6 janari. Biden ka qenë i ashpër për “gënjeshtrën e madhe” të zgjedhjeve të Trumpit që nxiti sulmin në Kapitol nga një “turmë e dhunshme” e mbështetësve të Trumpit. Biden u ka kërkuar njerëzve të kujtojnë skenat e dhunshme dhe të reflektojnë se si “demokracia u sulmua” atë ditë. Përsëri, e gjithë kjo mbetet e vërtetë, por ajo narrativë e veçantë gjithashtu humbet fuqinë e saj kur Trumpi është sulmuar; kur procesi demokratik është sulmuar. Nëse përmendet përsëri 6 janari, republikanët mund t’i drejtojnë thjesht gishtat te demokratët dhe t’i akuzojnë për nxitjen e dhunës më 13 korrik.

Ndërsa pikat kyçe të debatit të demokratëve janë dobësuar, karakterizimi i Trumpit si martir i guximshëm është forcuar. Që nga fillimi i karrierës së tij politike, Trumpi e ka përshkruar veten si i jashtëm, duke marrë përsipër elitat. Ai ka karakterizuar në mënyrë të përsëritur betejat e tij të shumta ligjore si “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht. Zyrtarët në Washington dhe shteti i kapur, thotë ai vazhdimisht, janë pas tij. Ai ka pretenduar se armiqtë e tij kanë provuar ta fusin në burg dhe kanë provuar të vjedhin zgjedhjet. Tani mund të pretendojë se ata kanë provuar ta vrasin atë. Trumpi tashmë ka bazë të një lloji të adhurimit të kultit. Pas përballjes së tij me vdekjen, ata do të jenë edhe më të devotshëm ndaj heroit të tyre.

E gjithë kjo nuk mund të vinte në një kohë më të keqe për Bidenin. Fushata e tij, nuk ka nevojë të ju them, është në kaos të plotë. Ditë pas dite ka pasur tituj pas titujsh për presidentin që është tepër i dobët dhe i brishtë për detyrën. Biden tashmë dukej si burrë i dobët në krahasim me Trumpin (i cili është vetëm tre vjet më i ri se ai). Tani ai kontrast është jashtëzakonisht i theksuar. Trumpi është ai që ngrihet menjëherë pas të shtënave nga një atentator; Biden është ai që rrëzohet duke u ngjitur shkallëve. Nëse je votues i pavendosur që ndikohet nga cili kandidat duket më president, besoj se e ke ndarë mendjen.

Arwa Mahdawi është kolumniste e “The Guardian”. Përktheu: Reporteri.net.

A i fitoi Trumpi zgjedhjet? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version