Sapo ndjen një aromë të caktuar të rikthehen kujtime? Është një përvojë universale dhe në fakt, është e vërtetë: Kujtimet zgjohen nga aromat. Për shembull, aroma e një keku me portokall të rikujton shtëpinë ose ëmbëlsirat e gjyshes; një parfum të kujton një person të çmuar në jetë, një ish-partner etj. Pse ndodh kjo?
Nga 5 shqisat që ne kemi, ajo e nuhatjes është më e lidhura me kujtimet. Kur ti ndjen një aromë të caktuar, dërgohen sinjale në qendrën e aromave në tru. Aromat lidhen direkt me sferën e trurit që aktivizon kujtimet, emocionet, humorin dhe sjellje të caktuar. Kjo shpjegon edhe faktin pse aromat mund të të sjellin kujtime të forta dhe emocione të gjalla.
Zakonisht, ne priremi të zgjedhim edhe aroma dhe parfume që na rikujtojnë momente të bukura në jetë, duke nisur që nga fëmijëria dhe adoleshenca. Me shumë gjasa, ti mund ta kesh gjetur veten duke kërkuar pafundësisht një parfum që ke pasur dikur, i cili të ka shoqëruar në momente të rëndësishme dhe lidhet me kujtimet e bukura që ke jetuar asokohe.
Aroma të forta si ajo e lëkurës, trëndafilave, jasminës, apo kanellës mund të të rizgjojnë qindra kujtime e ndjesi. Një ndër aromat më të zakonshme që ngjall kujtimet është edhe ajo që përkufizon Krishtlindjet ose Vitin e Ri. Kujtimet tona lidhen ngushtë me momentet festive, kur na kanë llastuar, ose jemi bashkuar me familjarët dhe personat e shtrenjtë para tryezës, ndaj sapo hunda jote të ndiejë një aromë që lidhet me festat, mund të ndihesh automatikisht më mirë.