Nga Hipokrati, i cili e përdori atë si një ilaç për ethet, plagët dhe acarimin e lëkurës, tek vetitë e tij antibakteriale dhe antioksidante, uthulla e mollës ofron ende shumë përfitime shëndetësore. Një studim më i ri, i publikuar në BMJ Nutrition, Prevention & Health , e shqyrton atë si një agjent natyral dobësues, duke kontribuar në humbjen e peshës, si dhe në uljen e niveleve të glukozës, kolesterolit dhe triglicerideve.
Evangelia Manziori, Drejtoreshë e Programit të Shkencave të Ushqyerjes dhe Ushqimit dhe dietologe e akredituar në Universitetin e Australisë Jugore, me artikullin e saj në The Conversation, paraqet metodologjinë e studimit, duke interpretuar rezultatet si dhe vlefshmërinë e tij.
Një ekip shkencëtarësh në Liban kreu këtë provë klinike të dyfishtë të verbër, të rastësishme, në një grup të rinjsh mbipeshë dhe obezë të moshës 12-25 vjeç. Ata caktuan rastësisht 30 pjesëmarrës në një nga katër grupet e marrjes ditore të uthullës së mollës: 5, 10 ose 15 ml të holluar në 250 ml ujë çdo mëngjes para mëngjesit për 12 javë. Një grup kontrolli konsumoi një pije joaktive (placebo) me një strukturë dhe shije të ngjashme.
Pas një periudhe tre mujore, konsumimi i uthullës së mollës u shoqërua me një reduktim të ndjeshëm të peshës trupore dhe indeksit të masës trupore (BMI). Mesatarisht, ata që kanë pirë uthull molle gjatë kësaj periudhe kanë humbur 6-8 kg peshë dhe kanë ulur BMI-në me 2,7-3 pikë, në varësi të dozës. Ata gjithashtu treguan reduktime të konsiderueshme në perimetrin e belit dhe ijeve.
Autorët raportojnë gjithashtu ulje të ndjeshme të niveleve të glukozës, triglicerideve dhe kolesterolit në gjak në grupet e pjesëmarrësve që konsumuan pijen me uthull molle. Nga ana tjetër, grupi placebo, të cilit iu dha ujë me acid laktik, kishte reduktime shumë më të vogla në peshë dhe BMI, ndërsa nuk u panë përmirësime përkatëse në shënuesit e gjakut.
Eksperti thekson se, megjithëse rezultatet e studimit duken premtuese, ato duhen interpretuar me kujdes. Së pari, nuk është e qartë nëse këto verifikohen në çdo moshë, pasi pjesëmarrësit ishin të rinj deri në 25 vjeç. Për më tepër, megjithëse studiuesit mbanin shënime për dietën dhe stërvitjen e pjesëmarrësve, ato nuk u publikuan në punim, duke e bërë të vështirë çdo lidhje me efektet e dietës ose ushtrimeve. Së fundi, autorët nuk raportojnë nëse dikush u largua nga studimi./vizionplus.tv