Cekja i Beratit zbuloi në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, në vizion Plus, se puna e parë e tij nuk ka qenë aktor.

Cekja tregoi se babai e futi në punë në Uzinën e Poliçanit, pasi nuk ishte nxënës i mirë, por aty spikati, dhe e dërguan në estradë.

Pjesë nga biseda:

Cekja: Unë në shkollë nuk kam qenë ndonjë nxënës i shkëlqyer, nën mesatare pothuajse. Vjen një moment thotë babai, ti nuk je për shkollë do të çojë në punë. Unë atëherë isha 16 vjeç, as 17 nuk i kisha mbushur. Do të të çoj në Uzinë të Poliçanit më tha, ajo ishte uzinë ushtarake. Flet me ata babai dhe më çojnë mua në Uzinë të Poliçanit, dhe kam qëndruar atje në konvikt dy vjet, kishte nga e gjithë Shqipëria të ardhur aty.

Pranvera Borakaj: Ishte e vështirë si punë?

Cekja: Aty ku më çuan mua nuk ishte e vështirë, pasi më çuan në zonën C. Ishte zona A, B dhe C. Zona C ishte një repart ku montoheshin granatat, detonatori ndezësi që quhet, që mbërthehet brenda tubit të granatës, ka marshin ka dhe atë unazën që shpërthen kur e hedh. Unë i vija vetëm numrat marshit me bojë. Pastaj u aktivizova me estradën e fabrikave, bëheshin konkurrimet e estradave në Poliçan, aty shpërtheva pastaj, më thotë ai inxhinieri ti nuk e ke vendin këtu, do shkosh në Pallatin e Kulturës, më çuan atje.

Share.
Exit mobile version