Lulet janë një aset i vyer në ambientin ku jetojmë dhe po ashtu shumë të domosdoshme për mirëqenien mendore, Disa njerëz lidhen shumë shpirtërisht me bimët dhe kujdesen për to sikur të ishin njerëz, dhe në fakt kjo është shumë e rëndësishme.
Bimët kanë nevojë për një përkujdesje të veçantë, sidomos në periudhën pas pushimeve verore. Me rikthimin e shtatorit, moti ndryshon dhe sigurisht me të ndryshojnë edhe nevojat e bimëve.
Si fillim bëni pak pastrim duke hequr lulet e vyshkura, duke shkulur bimët e thara dhe duke shkurtuar kërcejtë tepër të gjatë, në mënyrë që bima e cila mbetet të përftojë ushqimin maksimal. Hidhini një sy dheut të tyre. Nëse është i thatë ujitini nga pak, por asnjëherë në drekë. Ujitja e tyre duhet të bëhet ose në mëngjes herët, ose në darkë vonë.
Ndihmoni bimët që vazhdojnë të lulëzojnë duke u hedhur pleh të lëngshëm me kusht që dheu të mos jetë tepër i thatë. Në të kundërt, ujitini ato përpara se t’u hidhni pleh në formë të ngurtë. Në rast se bimët nuk kanë mundur të rezistojnë gjatë mungesës suaj në periudhën e verës, nuk ju mbetet veçse t’i hiqni. Zbrazini vazot e mëdha dhe vini në to varietete të bukura lulesh vjeshtore. Në këtë periudhë do të gjeni shumë të tilla si ciklaminë, shqopa dhe barishtore ornamentale.
Është momenti më i mirë edhe për të mbjellë halorët apo kaçube me gjethe të përhershme. Ato do të jenë dekoracioni bazë i një tarrace.
Filloni të vini në vazo gjithashtu zhardhokë bimësh që lulëzojnë në pranverë. Rekomandohen zhardhokë të vegjël si ata të krokus-it, lule-borës, iriseve shkurtabiqe, muskaris-it. Guxoni të mbillni tulipanët. Për to vendosni në fund të vazos një shtresë të mirë kullimi me zhavorr apo argjilë.