Stilistja shqiptare Kiara Balla ka fituar sëfundmi një çmim në Itali, në “Milano Fashion Week” me koleksionin “Burrneshat”.
E ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, stilistja tha se për këtë koleksion u frymëzua nga historia dhe tradita shqiptare, teksa shtoi se ka dashur që të prezantojë edhe italianët dhe jo vetëm me kulturën e vendin tonë.
Kërkimet në internet dhe ato se çfarë kishte dëgjuar nga familja, ishin detajet që e shtynë për të krijuar koleksionin e saj.
“Kam fituar një çmim tek “Milano Fashion Week”. Ishte shumë e rëndësishme të lidhja origjinën time me modën italiane. Shqipëria ka shumë frymëzime si kulturë dhe mu duk interesante ajo e burrneshave. Dëgjoja fjalë në familjen time dhe kërkova në internet dhe gjeta histori interesante.
Për veshjet kam parë fotografi në internet por nuk gjeta shumë gjëra dhe stili është i imi. Një femër që vishet si burrë me stilin italain.
Koleksioni im tani quhet “Balla”. Më pëlqen që të prezantoj italianët me kulturën shqiptare sepse nuk e njohin shumë. Ky brend mund të jetë interesante për gjithë botën, jo vetëm për Italinë. Burrneshat janë femra të forta dhe kanë sakrifikuar për të drejtat.
Doja të transmetoja një mesazh. Ishte edhe një homazh për burrneshat. Për mua, një gjë për të transmetuar lirinë dhe të drejtat, një vajzë të fortë në shoqëri”, tha stilistja Balla./vizionplus.tv