“Në sëmundje dhe në shëndet derisa vdekja të na ndajë”, kjo është një shprehje që e dëgjoni në altar kur një çift betohet për dashuri të përjetshme, por ky është momenti që të ballafaqoheni edhe me një përfitim tjetër: mjekët kardiologë thonë se martesa i bën mirë zemrës, pavarësisht llojit të raportit që keni.

Duket se jo vetëm përfitimi emocional ndikon në një marrëdhënie, por ka prova se martesat e forta sjellin përfitime shëndetësore, duke përfshirë një rrezik më të ulët të depresionit dhe më shumë jetëgjatësi. Çiftet e lumtura madje kanë përfitime specifike për zemrën, si uljen e rrezikut të sulmit në zemër dhe goditjes në tru, sipas Harvard Health Publishing.

“Kërkimet konfirmojnë se martesa ka ndikim direkt në shëndetin e zemrës,” thotë Stacey Rosen, mjeke kardiologe.

Një studim i dhjetorit të vitit 2017 në Journal of the American Heart Association (JAHA) zbuloi se njerëzit e pamartuar me sëmundje zemre kishin 52% më shumë mundësi të kishin një atak në zemër ose të vdisnin nga problemet e zemrës pas katër vjetësh në krahasim me njerëzit e martuar.

Sipas “National Center for Health Statictics”, shkalla e vdekjes për të martuarit është gjithashtu më e ulët për ata që nuk kanë qenë kurrë të martuar, të divorcuar ose të ve. Studimet kanë treguar se intimiteti fizik, duart e shtrënguara apo përqafimi ulin nivelet e hormoneve të stresit, ndërsa këto të fundit ndikojnë direkt në shëndetin dhe funksionet e zemrës.

Stresi i lehtë është pjesë normale e jetës së përditshme, por nivelet e vazhdueshme të larta të kortizolit (stresi kronik) ju vënë në rrezik për sëmundje të zemrës.

Një studim i prillit të 2017-ës në Psychoneuroendocrinology tregon se në shumicën e rasteve, të martuarit kanë nivele më të ulëta të kortizolit. Në studim me rreth 600 persona mes moshës 21 dhe 55 vjeç u ndanë në tre grupe: të martuar së fundi, të martuar vite më parë dhe të pamartuar. Nivelet e tyre të kortizolit u gjurmuan dhe u testuan me mostra të pështymës gjatë periudhave të ndryshme të ditës. Studiuesit zbuluan se njerëzit e martuar kishin rënie më të madhe të kortizolit gjatë gjithë ditës në krahasim me grupet e tjera.

Pra, dukshëm martesa i bën mirë shëndetit të zemrës! Mos kini frikë ta ndërmerrni këtë hap të rëndësishëm.

 

Share.
Exit mobile version