Dje në media doli informacioni se kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, do ta braktisë Frontin Europian dhe se së shpejti për këtë do t’i drejtohet opinionit dhe do të tregojë arsyet, edhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga ai.

Informacioni që u plasua në opinion, pretendonte se Thaçi do ta lëshojë opozitën por se do ta vazhdojë komunikimin vetëm me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, njofton Telegrafi Maqedoni.

Rreth këtij informacioni sot kanë folur përfaqësuesit e Qeverisë dhe të opozitës. Kryeministri Hristijan Mickoski dhe zv.kryeministri Izet Mexhiti, u shprehën të përmbajtur në lidhje me mundësinë që Menduh Thaçi ta braktisë Frontin Europian, ndërsa këta të fundit thonë se grupi i deputetëve i tyre është stabil dhe se nuk do të ketë lëvizje.

Për Izet Mexhitin nga VLEN, lëvizjet e tilla janë të pritura, pasi siç tha, Fronti Europian nuk është bashkuar për ideologji, por për interesa politike.

“Partitë nga “Fronti Europian” nuk u bashkuan ideologjikisht apo për qëllime më të mëdha, por për të mbijetuar në skenën politike. Në momentin që nuk janë në qeveri, nuk ka kauzë politike për Frontin”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se personalisht nuk negocion me deputetë, por edhe se nuk ka informacione për lëvizjen e mundshme të Thaçit në Qeveri.

Ndërsa kryeministri Mickoski, tha se nuk ka dëshirë të komentojë ngjarjet brenda opozitës.

“Mund të them se koalicioni qeveritar është i qëndrueshëm, me një shumicë gati dy të tretash në Kuvend. Nuk do të doja t’i vishja këpucët dhe të komentoja çfarë po ndodh në opozitë. Supozoj se do të merrni më shumë përgjigje për atë që po ndodh atje nga vetë aktorët në opozitë”, tha Mickoski.

Ndryshe, Thaçi ka munguar në disa ngjarje që janë organizuar nga Fronti Europian, kurse ajo e fundit ishte për 100 ditët e para të qeverisë së re.

Në zgjedhjet e fundit kuvendare, Thaçi ishte në listën e deputetëve të Frontit Evropian në Njësinë e Gjashtë. Në Kuvend si deputet ka hyrë vetëm ai nga PDSH. Në zgjedhjet e fundit ai u bë bashkë për herë të parë me kryetarin BDI-së Ali Ahmeti, si dhe ish-bashkëpartiakun e tij Ziadin Sela.

Fronti Europian në zgjedhjet e fundit siguroi 18 ulëse në Kuvend./Telegrafi/

Zërat për largimin e Menduh Thaçit nga Fronti Europian, reagojnë pushteti dhe opozita appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version