Komuna e Tetovës njofton se sot është votuar buxheti i komunës, e cila do të peshojë 31.086.000 euro, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“U votua buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2024! Me mbështetjen e 17 votave u miratua plani ambicioz zhvillimor me vlerë 31.086.000 euro.
Investimet në rritje drastike.
4 milion euro më shumë se vitin e kaluar. Kjo shifër vërteton përkushtimin tonë për të ndërtuar një Tetovë më të përparuar dhe më të denjë për të jetuar”, thuhet në njoftim.
Pjesë, theksojnë nga atje, e buxhetit është edhe një projekt i rëndësishëm i kooperimit me Qendrën për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar (CMSR) dhe që ka të bëjë me rikonstruksionin e tubacionit të ujësjellësit në Tetovë. Ky projekt synon të rregullojë humbjet e ujit dhe të përmirësojë cilësinë e tij.
“Buxheti gjithashtu ka paraparë fonde të mjaftueshme për aplikime në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, me qëllim të ndërtimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Tetovës. Në një nismë për të kursyer resurset natyrore, janë ndarë 10 milion denarë për vendosjen e murit mbajtës në lumin Shkumbin, duke ndjekur suksesin e projektit të ngjashëm në Banjën e Tetovës.
Në fushën e zhvillimit ekonomik, komuna ka ndarë 14.500.000 denarë për projektin e rrugës së butiqeve, duke bashkëpunuar me IPA Fondet. Poashtu edhe për sektorin e arsimit, kulturës, sportit dhe nxitjen e turizmit, buxheti është i pasuruar me fonde të mjaftueshme”, thuhet në njoftimin e Komunës./Telegrafi/
Votohet buxheti i Komunës së Tetovës appeared first on Telegrafi.