
Avni Ameti është Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë dhe pjesmarrës në shumë misione shpëtimi nëpër ngjarjet tragjike në Maqedoni, duke përfshirë tërmetet, vërshimet, zjarret dhe aksidente të tmerrshme. Ameti është i ftuar në #PodGo në Telegrafi Maqedoni, për të folur për këto tragjedi, nga prizmi i një zjarrfikësi.
“Në raste të tilla, të parët që ballafaqohen me të lënduarit dhe me zjarrin janë zjarrfikësit, siç ishte edhe tragjedia në Koçani. Zjarrfikësit janë aty për tu munduar që të bëjnë shpëtimin e asaj që ka mbetur në vendin e ngjarjes, duke larguar njerëzit së pari dhe pastaj për tu kujdes që zjarri mos të përhapet më tej” ka thënë Ameti, duke folur për ngjarjen në Koçani.
Në lidhje me traumën pas tragjedive, Ameti ka thënë se zjarrfikësit kanë shumë trauma dhe vështirësi në jetën e tyre jashtë punës pasi kanë pengesa gjatë gjumit. Por, edhe pas shumë tragjedive, atyre nuk ju është angazhuar një psikolog në Njësinë e Tetovës.
“Ne nuk kemi intervenime vetëm nëpër zjarre por kemi intervenime edhe nëpër ndeshje komunikacioni, ku ka të lënduar dhe me fatalitet të ndryshëm. Ne mbulojmë qytetin e Tetovës dhe pesë komunat rurale dhe dihet që është një ndër stacionet më të ngarkuar me punë. Në këto kushte, dihet se ne kemi bërë kërkesa që të kujdesen më shumë për zjarrfikësit, duke punësuar psikolog nëpër çdo stacion, siç është stacioni i Tetovës, Shkupit, apo qyteteve tjera” ka thënë Ameti.
Për zjarret dhe pse ndodhin ato, Ameti ka thënë se zjarret janë të krijuara nga dora e njeriut dhe apelon që të kenë kujdes por edhe të investojnë në aparate kundër zjarrit, në hidrantë dhe të planifikohet tek kompanitë dalje emergjente.
Ameti është Komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë dhe ka punuar ngushtë me mediumet për të ndikuar në edukim, sensibilizim dhe bashkëpunim të qytetarëve. /Telegrafi/
Vlera e zjarrfikësve në Maqedoni dihet kur ka tragjedi appeared first on Telegrafi.