Nga Koalicioni VLEN në një kumtesë për media thonë se po sjellin modernizim, siguri dhe jetë më të mirë për qytetarët dhe se po i ndryshojnë komunat. Nga VLEN thonë se janë bërë investime në Komunën e Gostivarit dhe Tetovës.

“Koalicioni VLEN po ndryshon faqen e komunave tona! Me projekte të mëdha, vizion të qartë dhe përkushtim të palëkundur, po sjellim modernizim, siguri dhe jetë më të mirë për çdo qytetar. Ky është vetëm fillimi i një të ardhmeje më të ndritur! Komuna e Gostivarit po bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë për një jetë moderne dhe cilësore. Një nga projektet kryesore është ndarja e mbi 161 milionë denarëve për vitin 2025, të destinuara për rikonstruksionin e rrugëve dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Ky investim është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë, funksionalitetit dhe cilësisë së jetës në komunë, duke kontribuar në ndërtimin e një mjedisi urban të denjë për qytetarët”.

“Përveç investimeve në rrugë, vëmendje e madhe do t’i kushtohet ruajtjes së mjedisit dhe përmirësimit të infrastrukturës bazë. Komunës së Gostivarit do t’i sigurohen mjete për selektimin dhe transportimin e mbetjeve, për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm. Po ashtu, projektet për ndërtimin e kolektorëve fekalë, kanalizimeve, rezervuarëve të ujit dhe linjave të reja të furnizimit me ujë janë dëshmi e përkushtimit tonë për menaxhimin efikas të resurseve jetike”.

“Por kjo nuk është e tëra. Në Tetovë, totali i investimeve që planifikohen arrin në 332 milionë denarë, dhe përfshin këto projekte si rikonstruktimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Poroj – 25 milionë denarë (financuar nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor). Vendosja e gardhit mbrojtës në lumin Shkumbin (në pjesën e papërfunduar) – 9 milionë denarë (nga buxheti i Ministrisë). Rikonstruktimi i tubacionit kryesor të ujësjellësit për furnizimin me ujë nga Kodra e Diellit në Tetovë – 65.5 milionë denarë nga totali prej 140.7 milionë denarë (nga fondet e huas së Bankës Evropiane për Investime). Zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit për lagjen “Vonvardarska” – 15 milionë denarë (nga fondet për dotacione kapitale të Ministrisë), si dhe shumë projekte tjera me rëndësi jetike për qytetarët”, thonë nga VLEN.

VLEN: Po i ndryshojmë komunat, kemi ofruar modernizim, siguri dhe jetë më të mirë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version