VLEN në një kumtesë për media akuzon Ziadin Selën dhe Ali Ahmetin se po përpiqen të mbulojnë disfatën e tyre. Nga VLEN thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e Balancuesit, është një konfirmim se BDI në vend që të përdorë funksionet në Qeveri me LSDM-në për zgjidhje sistematike të statusit të shqiptarëve, iu përkushtua grabitjes së parasë publike dhe pasurimit personal.
“Çdo ditë konfirmohet se gjithçka që është bërë gjatë regjimit të tyre është sipërfaqësore, me motive populiste dhe për pikë politike ditore. Gjykata Kushtetuese, përbërja aktuale e së cilës u votua pikërisht me votat dhe ndikimin e BDI-së, ngriu përdorimin e Balancuesit, gjë që paraqet një tjetër disfatë programore dhe kadrovike të politikave të BDI-së”.
“Ky fakt nuk mund të fshihet me justifikimin se shumica e Badenterit duhet të futet në Gjykatën Kushtetuese. Koalicioni VLEN u shpreh qartë se Balancuesi është një koncept joefektiv, sepse u bë mjet për keqpërdorime që kur maqedonasit filluan të deklarohen si shqiptarë për t’u punësuar në administratën publike”.
“Prandaj, ne jemi duke hartuar një ligj për përfaqësim të drejtë, të cilin do ta vëmë në shqyrtimin e publikut ekspert me debat publik, për të marrë një zgjidhje efikase dhe të qëndrueshme që do të jetë plotësisht e zbatueshme në praktikë dhe do t’u mundësojë shqiptarëve të punësohen në institucionet shtetërore, në bazë të aftësive profesionale dhe jo për shkak të përkatësisë partiake”, thonë nga VLEN.
Gjithashtu shtojnë se ngrirja e balancuesit nuk do të pengojë punësimin e shqiptarëve në organet e administratës shtetërore edhe në këtë periudhë të vakumit ligjor, sepse siç shtojnë, është një nga parimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe kategori kushtetuese.
VLEN: Ngrirja e “balancuesit” është një nga disfatat e BDI-së appeared first on Telegrafi.