Koalicioni VLEN ka vazhduar edhe sot me shpalosjen e siç thonë ata aferave korruptive nga njerëzit e afërt të Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës, për njerëzit që janë pjesë e Frontit Europian.
Ata thonë se përveç fakteve të publikuara dje dhe sot, informacione shtesë për afera korruptive dhe nepotizmi do të paraqiten edhe nesër.
Reagimi i plotë
Të nderuar,
Dje publikuam informacione për tenderat që kompania familjare e deputetit Elmi Aziri i ka marrë nga Lotaria Shtetërore.
Sot vazhdojmë me informacione të reja skandaloze, që do të konfirmojnë edhe më tej se BDI ka përdorur fondet e buxhetit publik si sirtar privat për të ushtruar ndikim politik.
Të gjithë politikanët që e shohin politikën si një mundësi pasurimi personal dhe familjar janë kapur në rrjetin e kryeekzekutorit Artan Grubi.
Kompania RITRON COPY DOOEL import-eksport Kumanovë, pronar i së cilës është nipi i bashkëshortes së deputetit Elmi Aziri, në periudhën 9 mujore, të llogaritur nga qershori 2021 deri në mars 2022, ka pranuar dy tenderë nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhëniet mes bashkësive, në krye me Artan Grubin, kryelogjistik i Ali Ahmetit.
Këta dy tenderë kanë të bëjnë me blerjen e pajisjeve informatike, vlera totale e të cilëve është 2 milionë e tetëqind mijë denarë.
Ky është institucioni i dytë shtetëror nën komandën e Artan Grubit, nga i cili merrte tenderët e njëjta kompani.
Pa hyrë në profesionalizmin e funksionimit të biznesit të kompanisë RITRON COPY DOOEL import-eksport, nuk mund ta konsiderojmë si zgjedhje të rastësishme të Përparim Bajramit dhe Artan Grubit, që kompania e nipit të deputetit Elmi Aziri të ketë ofertat më të favorshme për fitimin e tenderëve.
Nga të gjitha anët po arrijnë informacione të hatashme për sjelljet korruptive të kuadrove të Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës. Detyrë e jona është që këto ti ndajmë me publikun.
Do të jetë interesante të shihet se si udhëheqësia e të ashtuquajturit Fronti Europian do t’i shpjegojë anëtarëve të saj se pse vetëm disa njerëz mund të gëzojnë përfitimet nga pushteti.
Vazhdojmë nesër!
VLEN: BDI ka përdorur buxhetin publik si sirtar privat për të ushtruar ndikim politik appeared first on Telegrafi.