Sistemi i drejtësisë, faturat e energjisë elektrike, bllokimi i llogarive nga ana e përmbaruesve, lëndët për prishjen e objekteve pa leje ndërtimi. Këta janë institucionet për të cilët qytetarët e Tetovës kanë dorëzuar parashtresa deri tek zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë. Vetëm gjatë vitit 2023 ka pasur gjithsej 125 parashtresa deri tek kjo zyrë për shkak se qytetarët kanë vlerësuar se u shkelen të drejtat e tyre. Këtë e thotë Muhamed Hodai, këshilltar Shtetëror në Zyrën e Avokatit të Popullit në Tetovë. Më shumë parashtresa ka ndaj sistemit të gjyqësorit.
“Kështu që, 87 parashtresa janë të përfunduara, prej të cilëve 18 janë të përfunduara pozitivisht ku Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje të të drejtave të qytetarëve të Tetovës nga ana e Organeve të Administratës Shtetërore si dhe të Organeve të Vetëadministrimit Lokal. Për ato 18 parashtresa, avokati i popullit ka dërguar rekomandim deri te organet tek të cilët është konstatuar se ka shkelje. Nga ana tjetër prej 20 parashtresave, procedura vazhdon më tutje, kurse 8 parashtresa janë procesuar në Zyrën e Avokatit të Popullit në Shkup. Nga lëmitë ku më së shumti janë dorëzuar parashtresa është sistemi i gjyqësorit. Krahasuar me vitin paraprak, sektori i gjyqësorit ka pasur 22 parashtresa më shumë”, thotë Hodai.
Puna e përmbaruesve është në vendin e parë për sa i përket parashtresave nga ana e qytetarëve, thotë Hodai.
“Kjo ka të bëjë në aspektin e vlerës së kamatës, të borxhit dhe veprimeve të përmbaruesit dhe shumica kanë të bëjnë me mundësinë e pagimit të borxheve. Në disa raste prej tyre, Avokati i Popullit ka mundësuar qytetarëve që pagesa e borxhit të bëhet në këste. Vitin e kaluar kaloi edhe ligji ku kamata nuk guxon të kalojë borxhin kryesor dhe kjo ishte një përparësi. Po ashtu ankesa ka pasur edhe tek Gjykata Administrative e shkallës së dytë në Gostivar ku ka pasur disa zhagitje. Me intervenimin tonë janë përshpejtuar procedurat në këtë gjykatë”, nënvizon Hodai. Ndërkohë, 19 parashtresa kanë qenë për shkeljen e të drejtave të konsumatorëve.
“Më shumë prej këtyre ankesave kanë të bëjnë me EVN-Maqedoni, njësia rajonale në Tetovë, ku më shumë ka pasur ankesa nga konsumatorët për korrigjimin e faturave të energjisë elektrike ku konsumatorët, ku ankesat kanë qenë me leximin e matësve në mënyrë paushallë dhe aty ka pasur disa intervenime. Ndërsa ka pasur kërkesë nga qytetarët që t’u mundësohet atyre që kanë borxhe të prapambetura të nënshkruajnë kontrata në disa këste. Por, konsumatorët duhet të kenë kujdes që të paguajnë edhe llogaritë rrjedhëse që mos ketë shkyçje të rrymës elektrike” njofton Hodai.
Ai është shprehur se pjesa dërmuese e institucioneve bashkëpunojnë me avokatin e popullit, por në disa raste institucionet japin përgjigje sa për sy e faqe dhe jo përmbajtjesore./Koha.mk/
Vitin e kaluar në Tetovë më shumë ankesa ka pasur ndaj gjyqësorit dhe përmbaruesve appeared first on Telegrafi.