Vazhdojnë trazirat në VLEN, pasi koalicioni dje doli me qëndrim se vendimi i Aleancës për Shqiptarët e Arben Taravarit që në zgjedhjet e ardhshme lokale të kandidojë me lista të veçanta për këshilltarë, është në interes të BDI-së. Koalicioni thotë se Taravarin nuk e kanë përjashtuar, por ai e ka përjashtuar veten me këtë vendim. Sipas koalicionit VLEN, lëvizja e Taravarit paraqet problem në qeveri, por nuk saktësojnë nëse do të kërkojnë shkarkimin e tij.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, pjesë e koalicionit, dje në një konferencë për media pas takimit ku morën pjesë liderët e Besës, Bilall Kasami dhe Alternativës, Zeqirija Ibraimi, tha se Taravari do të duhet t’ua shpjegojë veprimet e tij shqiptarëve, por edhe votuesve të VLEN-it. Sipas Mexhitit, vendimi i Taravarit për të kandiduar me listat e veta në zgjedhje nuk bazohet as në qëndrimet e bazës partiake, as në opinionet e votuesve të Aleancës së Shqiptarëve dhe as në sondazhe të pavarura, por është në interes të BDI-së.

Qëllimi, siç tha Mexhiti, është shpërbërja e koalicionit VLEN dhe kthimi i BDI-së nga vdekja klinike.

“Shumë shpejt do ta marrim vesh se sa ka kushtuar ky operacion dhe a ka vlejtur”, ka thënë Mexhiti.

Lexo po ashtu
Taravari: Nuk bie pre e provokimeve të atyre që duan spektakël politik

Koalicioni VLEN, siç tha Mexhiti, në zgjedhjet lokale do të garojë me lista e të bashkuara të këshilltarëve dhe kandidatët të përbashkët për kryetarë komune, ndërsa në ditët në vijim do të formohet edhe shtabi i përbashkët zgjedhor për paraqitje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.

Ndryshe, të martën, Kryesia Qendrore e Aleancës për Shqiptarët vendosi që në zgjedhjet e ardhshme të shkojë me listat e veta për këshilltarë, ndërsa për kryetarë komune, siç tha Taravari, vendimi do të merret më vonë. Kreu i ASH-së, Arben Taravari, pas mbledhjes deklaroi se ky vendim nuk do të kontribuojë në ndryshime, pra se ata mbeten parti brenda koalicionit “VLEN” dhe brenda Qeverisë.

Sipas Taravarit, ky vendim është marrë për shkak se koalicioni VLEN nuk e ka pranuar idenë e tyre për të anketuar opinionet e qytetarëve dhe votuesve para se të marrin vendime për kandidatët për kryetar komune dhe këshilltarë.

“Ne nuk dalim nga koalicioni VLEN, po dalim me listat tona. Jemi të hapur për diskutime me kandidatët për kryetar bashkie. Nuk kemi vendim për këtë, kërkuam nga VLEN së bashku që të përdorin anketën si mjet. Nuk është e pranueshme që ne katër veta të ulemi dhe të marrim vendime. Zgjedhjet lokale janë pak më ndryshe. Ata kërkojnë dikë që ka mbështetje, pavarësisht se cilës parti i përkasin. Ndonjëherë, ndoshta kandidati duhet të jetë edhe jopartiak. Jemi ende pjesë e VLEN, por në zgjedhje do të dalim me listën tonë të këshilltarëve. Nëse ata vendosin ndryshe, ne natyrisht do të marrim vendimin tonë”, tha Taravari.

Sa i përket bashkëpunimit të mundshëm me Ziadin Selën, Taravari tha se të gjithë janë të mirëseardhur.

Partnerët e koalicionit në Qeveri po ndjekin zhvillimet në VLEN, por thonë se nuk kërcënohet stabiliteti i Qeverisë. Lëvizja ZNAM, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, ka paralajmëruar konferencë për media për sot, në të cilën do të informojë për konkluzionet e Bordit Ekzekutiv për situatën aktuale politike.

Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski dje në një deklaratë televizive tha se trazirat në VLEN nuk janë kërcënim për Qeverinë, por është e papranueshme që dikush nga Qeveria të bashkëpunojë me BDI-në. Partia në pushtet OBRM-PDUKM thotë se trazirat në VLEN janë një çështje e brendshme e tyre./Telegrafi/

Vazhdojnë trazirat në VLEN, bashkëpunimi i katër partive shqiptare zgjati më pak se një vit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version