Huamarrja nga ana e qytetarëve në banka nuk ka të ndalur. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore sipas të cilave është rritur borxhi i amvisërive nga 3.5 miliardë euro në dhjetor të vitit 2022 në 3.7 miliardë euro në dhjetor të vitit 2023. Me fjalë tjera, statistika udhëzon se qytetarët e Maqedonisë janë goxha të varur nga borxhet në banka. Njohësit e ekonomisë konsiderojnë se kreditë për shkak të krizës ekonomike dhe jo vetëm bëjnë që një pjesë e madhe e popullatës vështirë e kapërcejnë muajin, andaj janë të detyruar të huazojnë para për nevoja të ndryshme.

“Kreditit e marra në banka nga qytetarët këto vitet e fundit, kryesisht kanë qenë për konsum, ku situata e vështirësive i shtyn familjet të mundohen që të gjejnë zgjidhje, dhe kur nuk kanë zgjidhje tjera i’u drejtohen bankave. Pra, këto janë kredi për të mbijetuar. Por jo vetëm, diku një e treta e kredive janë edhe për blerjen e banesave. Andaj edhe çdo ulje e kostos së pagesës së këstit që pritet të vijë në muajt e ardhshëm për kreditë është e mirëseardhur për qytetarët që janë borxhlinj ndaj bankave”, thotë profesori Neritan Turkeshi.

Nga ana tjetër, qytetarët vetëm për kredi konsumatore kanë borxh në banka prej afër 2 miliardë euro, ndërsa për kredi banesore kanë borxhe prej mbi 1.2 miliardë euro. Në periudhën e ardhshme pritet ulje e caktuar e kamatave të kredive dhe zbutje graduale e politikës monetare pas uljes së kërcënimeve për një inflacion më të lartë në vend dhe më gjerë.

“Normat e interesit pritet të ulen në vitin 2024, por tendencat e para rënëse duhet të priten në maj. Banka Qendrore Evropiane ka të ngjarë të ulë normën referencë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, që do të thotë se në dhjetor të këtij viti norma e interesit do të ishte 3.75 për qind, që është ende larg nivelit me të cilin filloi viti 2023. Rezerva Federale e SHBA po njofton gjithashtu një ulje të normës së interesit në maj nga 5.5 në 5.25 për qind dhe në 4.75 për qind deri në fund të vitit. Edhe Banka jonë Qendrore pritet të ulë normën referencë të interesit këtë vit, por në kushtet e pasigurta ekonomike dhe gjeopolitike, nga kjo do të varet edhe ulja e normës bazë të interesit”, thotë drejtoresha e financiare e Bankës Komerciale dhe një nga bankave më të mëdha në vend, Maja Stevkova Shterieva.

Ajo shton se pritet që sistemi bankar të vazhdojë të ofrojë mbështetje solide kreditore, por pak më të moderuar, në kushtet e kushteve të shtrënguara monetare dhe masave makroprudenciale apo të kujdesshme. Rritja e kredisë në vitin 2024 do të ishte 6.4 për qind. Si rezultat i forcimit të besimit dhe në të njëjtën kohë të kthimeve gjithnjë në rritje të kursimeve, në të cilat kontribuojnë edhe masat monetare të marra, depozitat si burimi më i rëndësishëm financimi pritet të arrijnë një rritje më të fortë, e cila në vitin 2024 do të arrinte në rreth 7.6 për qind.

Lëvizjet e inflacionit dhe të tregut valutor janë të favorshme. Megjithatë, pasiguria mbetet dhe inflacioni është ende mbi mesataren historike. Nga aty, përcaktimi i politikës monetare të Bankës Popullore, në përputhje me politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane, mbetet i njëjtë për momentin, thonë nga Banka Qendrore. Nga atje shtojnë se përcaktimi i politikës monetare në vendin tonë në të ardhmen do të varet nga inflacioni, pritshmëritë inflacioniste dhe tregu valutor, si dhe përcaktimi i politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane, sepse ne po zbatojmë një strategji të ruajtjes së një kurs këmbimi të qëndrueshëm në raport me euron. Andaj nëse mbahen trendet e favorshme aktuale, dhe mungojnë disa rreziqe, do të ketë hapësirë ​​për një politikë monetare më fleksibile.

Në vitin e kaluar me ndërprerjen e trendit të uljes së normave të interesit të letrave me vlerë të Bankës Popullore ka pasuar edhe ulje e butë e kamatave të kredive të reja. Ato janë ulur nga 5.47 për qind në muajin shtator të vitit 2023 në 5.02 për qind në dhjetor 2023.

Në total pra të gjithë kreditë e amvisërive si të vjetra ashtu edhe të reja në dhjetor kanë pasur normë të lartë të interesit prej 5.59 për qind, që është normë më e lartë në raport me dhjetorin e vitit 2022 kur ishte 5.01 për qind./Koha.mk/

Ulje e butë e kamatave në Maqedoni appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version