Liderët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend për festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i tyre kryesor është që në këtë festë të mbizotërojë harmonia dhe mirëqenia familjare dhe shoqërore.

Më poshtë i keni urimet e krerëve politik në vend:

Gordana Siljanovska:

“Sivjet në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, në muajin e agjërimit, lutjes dhe faljes, na ndodhi tragjedi e paparë që na tronditi si komunitet dhe si individë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të lënduarve. Pavarësisht nga përkatësia fetare, etnike apo çdo përkatësie tjetër, ne të gjithë jemi solidarë dhe pikëllojmë së bashku. Jetojmë në një botë që tronditet nga ndryshime të trazuara gjeopolitike dhe jemi të brishtë dhe të prekshëm në shumë segmente shoqërore. Sfida të shumta dhe ngjarje të paparashikueshme na presin. Le të jemi të bashkuar si komunitet, si shoqëri dhe si shtet. Së bashku ne mund të kapërcejmë dhe tejkalojmë të gjitha vështirësitë dhe problemet. Me mendime të pastra dhe me zemër të hapur për të gjithë bashkëqytetarët tanë, le ta bëjmë atdheun tonë një vend prosperues dhe dinjitoz të qytetarëve të lumtur”, shkruan Davkova në urim.

Arim Gashi:

“Pas një periudhe reflektimi, sacrifice dhe angazhimi të thellë për t’u afruar më shumë me Zotin, kam kënaqësinë t’ju uroj festën e madhe të Fitër Bajramit. Ramazani na mësoi se agjërimi është një rrugë për ta pastruar shpirtin, dhe se çdo ditë është mundësi për të praktikuar vlerat e sinqeritetit, dashurisë dhe respektit për njëri-tjetrin. Prandaj, duke lënë pas muajin e Ramazanit, le të dalim me zemër të pastër dhe më shumë gatishmëri për të ndihmuar ata që kanë nevojë, si dhe për të kontribuar në forcimin e unitetit, tolerancës dhe harmonisë shoqërore”, thuhet në urimin e Gashit.

Hristijan Mickoski:

“Fitër Bajrami është festë e solidaritetit dhe humanitetit, e cila i mëson të pasurit të përmbahen nga komoditeti personal dhe të mos i harrojnë të varfërit dhe bonjakët. Kjo festë do të thotë se përmes veprave të mira, respektimit të ndërsjellë, furimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mundemi ta fitojmë të keqen. Së bashku përmes bashkëpunimit, bashkëjetesës, tolerancës, vlerave të vërteta dhe parimeve do të vazhdojmë ta ndërtojmë Maqedoninë në një shtet më prosperues.

Ali Ahmeti:

“Në këtë moment të veçantë, le të përkujtojmë vlerat themelore të fesë sonë – paqen, tolerancën dhe bamirësinë – që na mundësojnë të ngremë dorën e pajtimit dhe solidaritetit ndaj njëri-tjetrit. Le të mbështesim njëri-tjetrin dhe të kujdesemi për ata që janë në nevojë, duke u bërë shembuj të mirësisë dhe bashkëpunimit. Për çdo besimtar, për çdo qytetar, dhe për secilën familje, uroj që ky Fitër Bajram t’ju gjejë me shëndet, pranë të dashurve tuaj dhe në mbarësi. Le të ecim përpara të bashkuar dhe me forcë, duke ndihmuar njëri-tjetrin për një të ardhme më të mirë”.

Arben Taravari:

“Bajrami është një festë që i dedikohet Madhështisë së Vlerave të Zotit ndaj është dhe festa më e bukur! Gëzuar Fitër Bajramin nga Aleanca për Shqiptarët! Zoti Bekoftë familjet tuaja! Ky urim nënvizon rëndësinë e kësaj feste për të vlerësuar mirësinë dhe bekimet e Zotit në jetën tonë”, shkruan në urimin e Taravrit.

Zeqirija Ibrahimi:

“Pas një muaji të kaluar me agjërim, përkushtim, solidaritet, dashuri dhe meditim, po vjen dita e Bajramit, në të cilën arrihet pika kulmore e kësaj përpjekjeje shpirtërore. Nëse agjërimin e Ramazanit e krahasojmë me një vepër të bukur artistike, Bajrami është pikërisht katarza në të cilën shpirti gufon me emocionin e fuqishëm të dashurisë dhe ndjenjën e bukur të ngadhënjimit. Duke e kaluar një muaj në edukim të shpirtit, sot besimtari që ka agjëruar e ka ndjenjën e atij që ia ka arritur ta mposhtë egon dhe, përkundër fitores së korrur, ai këndon “Uela galibe il-Allah – Ngadhënjyesi i vetëm është Allahu”. Duke u lutur që Zoti ta ketë pranuar agjërimin, si dhe duke u lutur që sofra juaj e Bajramit të mos e jetë e mbushur vetëm me ushqim, por edhe me dashuri familjare, si dhe me solidaritet e kujdes për skanmorin, ju uroj nga zemra”.

Ziadin Sela:

“Një muaj i tërë na mblodhi rreth tryezës së përbashkët, me dashuri dhe mirënjohje për kafshatën e gojës dhe praninë e më të dashurve që kemi. Na bëri ta provojmë durimin dhe ta ndiejmë thellë kuptimin e sakrificës. U lutëm për vete dhe për ata që munguan në sofrat tona. Sot uroj të kremtojmë së bashku me zemrën plot! Agjërim të pranuar dhe lutje të pranuara për të gjithë!”.

Udhëheqësit politik në Maqedoninë e Veriut urojnë festën e Fitër Bajramit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version