Anëtarët e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në seancën e sotme e kanë pranuar kërkesën e ish-presidentit të Maqedonisë Stevo Pendarovski për suspendim të së drejtës për pension që ai e ka dorëzuar në Kuvend më 15 maj.
Komisioni sot gjithashtu pranoi kërkesën për apanazh për 29 deputetë të përbërjes së kaluar. Kryetari i Komisionit Gjorgjija Sajkoski, njoftoi se janë dorëzuar edhe kërkesa tjera dhe janë duke u shqyrtuar.
Sipas dispozitave ligjore, apanazhi është në masën e pagës së deputetit dhe paguhet nga Kuvendi, përkatësisht organizata në të cilën personi mbante detyrën.
Sipas informacioneve nga Kuvendi, 57 deputetë të përbërjes së kaluar kanë të drejtë apanazhi pasi nuk janë pjesë e përbërjes së re. Afati për paraqitjen e kërkesave për apanazh ka filluar në ditën e verifikimit të mandateve të deputetëve të përbërjes së re parlamentare 2024-2028 dhe përfundon për 30 ditë, pra më 28 qershor.
Dhjetë anëtarë të Komisionit votuan “për” ushtrimin e së drejtës së apanazhit për ish-deputetët, ndërsa vetëm deputeti i “Të majtës” Borislav Krmov votoi kundër./Telegrafi/
U miratohet kërkesa për apanazh 29 deputetëve të përbërjes së kaluar appeared first on Telegrafi.