Në kuadër të Javës Çame, dhjetëra persona u tubuan para Ambasadës së Greqisë në Shkup për të shprehur protestën e tyre për gjenocidin grek ndaj çamëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

Tubimi i sotëm ishte vetëm një nga aktivitetet e organizuara në Shkup në kuadër të Javës Çame, pasi nga 21 deri 27 qershor në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut janë organizuar aktivitete të ndryshme.

Tubimi para ambasadës ishte paqësor dhe nuk u shënuan incidente, ndërsa tubuesit ishin të veshur me elemente çame dhe mbanin flamurin shqiptar.

Në letrën drejtuar ambasadës greke në Shkup, të cilën e lexoi Afan Sherifi, thuhet se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut protestojnë për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët siç tha ai, u masakruan dhe u përzunë nga trojet e tyre me gjenocid nga ushtria greke EDES e drejtuar nga Napoleon Zervas në vitin 1944.

“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian dhe Kuvendit Evropian t’i bëjë thirrje Greqisë, si anëtare e BE-së, të ndalojë diskriminimin etnik dhe fetar ndaj çamëve të cilëve u mohon çdo të drejtë njerëzore, deri edhe atë vizitë si turistë në Greqi”, tha Sherifi, duke shtuar se pa zgjidhje të çështjes çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve.

Java Çame në Shkup organizohet nga një këshill i përbërë nga disa shoqata joqeveritare nga Maqedonia e Veriut nën moton “I love Çamëria”.

Tubim për Çamërinë para ambasadës greke në Maqedoninë e Veriut appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version