Aktualisht në vend po trajtohen 54 pacientë nga zjarri në diskotekën Pulse në Koçan, pasi 10 pacientë dje janë dërguar për mjekim në shtëpi.

Sipas informacioneve të njoftuara sot nga ministri i Shëndetësisë Arben Taravari pas mbledhjes së Shtabit të Krizave për gjendjen e pacientëve, në Qendrën Klinike po trajtohen 27 pacientë, në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” 11, në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit 10 pacientë, ndërsa në klinikat private po trajtohen gjashtë pacientë.

Ministri theksoi se gjithsej 115 pacientë janë duke u trajtuar jashtë vendit, pesë prej të cilëve pritet të kthehen në vend javën e ardhshme dhe, siç tha ai, pas triazhit që do t’u bëhet, do të përcaktohet nëse do të mbahen në një nga tre spitalet në Shkup apo do të dërgohen për trajtim shtëpiak.

Taravari theksoi se gjashtë pacientë janë në gjendje kritike, ndërsa 109 pacientët e mbetur janë në gjendje relativisht të mirë, por, siç tha ai, “të jemi të kujdesshëm se mund të ndodhin komplikime të paparashikuara”.

“Jashtë vendit po trajtohen 115 pacientë. Lajmi i mirë është se nëse javën e parë thamë se 20 ishin shumë kritike, pas dy ditësh 10 ishin shumë kritike, sot them se vetëm gjashtë janë në gjendje shumë kritike. Shpresojmë që ky numër të mos rritet me komplikime të mundshme te pacientët e tjerë. Ne planifikojmë të kthejmë disa prej pacientëve që në fillim të javës së ardhshme, pesë nga gjithsej 115 pacientë. Ata fillimisht do të pranohen në tre spitalet e Shkupit prej nga janë dërguar dhe pas triazhit që do t’u bëhet do të përcaktohet nëse do të ndalohen apo do të lirohen menjëherë për trajtim shtëpiak”, tha Taravari.

Nga pacientët në gjendje kritike, Taravari tregoi se dy janë duke u trajtuar në Lubjanë dhe katër pacientë në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd.

Për ata pacientë që pritet të kthehen në vend javën e ardhshme, Taravari tha se sipas informacioneve që po marrin, mund të kthehen edhe me fluturime komerciale.

I pyetur se me çfarë lëndimesh vuajnë pacientët në vend, Taravari tha se në përgjithësi janë djegie, disa pacientë kanë fraktura që kanë kërkuar ndërhyrje kirurgjikale, por edhe djegie në mukozën e rrugëve të frymëmarrjes.

“Përgjithësisht janë djegie, në disa raste kemi edhe fraktura që mund të vonohen më shumë dhe kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Djegiet e mukozës së rrugëve të frymëmarrjes, toksiciteti…”, tha Taravari.

Tragjedia në Koçan, Taravari: Gjashtë pacientë janë në gjendje kritike, ndërsa pesë të tjerë presim të kthehen në RMV në javën e ardhshme appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version