Mbi 140 të lënduar në zjarrin në diskotekën në Koçan janë pranuar për mjekim gjatë ditës së djeshme, 90 ndodhen në spitalet në vend, ndërsa 44 janë pranuar në spitale jashtë vendit. Edhe tetë të lënduar duhet të dërgohen në Kroaci dhe në Rumani, informoi drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski.

Klekovski informon se në Qendrën klinike janë hospitalizuar 20 të lënduar, në SPQ 8 shtatori – 20, në “Shën Naumi i Ohrit” – 21, në Spitalin Klinik Ship – 20, Spitalin e përgjithshëm në Koçan dhe në Toksikologji – dy. Ka pacientë edhe në spitalet private Axhibadem sistina dhe Zhan Mitrev.

“Jashtë vendit janë dërguar 44 të lënduar edhe atë në Serbi – 17, Bullgari – 14, Turqi – nëntë dhe Greqi – katër. Numrat ndryshojnë për shkak të transferimit të të lënduarve në spitale të tjera”, theksoi Klekovski.

Klekovski paralajmëroi se mbrëmë vonë dhe sot në mëngjes do të dërgohen edhe tetë persona të lënduar jashtë vendit, nga katër në Kroaci dhe në Rumani.

Ai kujtoi se në Qendrën klinike funksionon Shtabi i krizës së Ministrisë së Shëndetësisë, në koordinim me MPB-në dhe MPJ-në.

“Gjendja e të gjithë pacientëve po monitorohet dhe procedurat e mëtutjeshme po vendosen në konsultim”, shtoi Klekovski.

Një ekip nga Akademia Mjekësore Ushtarake e Beogradit ka mbërritur mbrëmë. Ekipet mjekësore priten edhe nga Republika Çeke, Izraeli dhe Belgjika.

“Për të gjithë të lënduarit jemi duke u kujdesur sa më mirë që mundemi, theksoi drejtori i FSSH-së, Klekovski.

Tragjedia në Koçan, Klekovski: 140 persona janë pranuar për mjekim, 44 janë transferuar në spitale jashtë vendit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version