
Në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit, pas një zjarri të madh në një diskotekë në Koçan mbetën të vdekur të paktën 59 persona kurse janë lënduar qindra persona të cilët janë vendosur nëpër spitalet e Shkupit, Shtipit dhe Koçanit, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski para pak çastesh deklaroi se numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa numri i të lënduarve është rritur në 155.
Sipas Toshkovski në mesin e viktimave është edhe një polic.
“Deri në ora 11:30, sipas informacioneve të cilat i kemi, kanë ndërruar jetë 59 persona, prej tyre 35 janë identifikuar, nga të identifikuarit, 31 janë nga Koçani, 4 nga Shtipi. Numri i të lënduarve sipas informacioneve që i mora rreth orës 12 është 155 persona, të njëjtit janë në shumë spitale në vend”, tha Toshkovski.
Sipas Ministrit për punë të Brendshme në Maqedoni, Pançe Toshkovski është lëshuar vendim për ndalim për katër persona të dyshuar.
Sipas Ministrit të shëndetësisë, Arben Taravari ka qindra të lënduar, prej të cilëve ka edhe në gjendje kritike. “Deri tani janë 148 pacientë që janë nën kujdes nëpër spitale në Maqedoni. 18 janë në gjendje kritike.
Kryeprokurori Ljupço Kocevski tha se janë duke u lëshuar urdhra për mbledhje të materialeve që do të ndihmojnë hetimin. Në ekipin hetues sipas tij janë angazhuar pesë prokurorë. “Mund t’u garantoj se Prokuroria do të bëjë hetim të shpejtë, do të angazhojmë ekspertë nga të gjitha fushat, që të shohim edhe shkaqet edhe përgjegjësinë”, tha mes tjerash Kocevski.
Drejtoresha e Spitalit të Koçanit, Kristina Serafimova është deklaruar për media pas tragjedisë së ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në diskotekën e Koçanit.
“Rreth 70 pacientë janë sjellë menjëherë në spital, ndërsa në mesin e tyre ka pasur dhe të tillë që veçse më kishin ndërruar jetë. Ne si spital, si ekipe mjekësore jemi mobilizuar që të gjithë për të ju dalë në ndihmë dhe kemi kryer mjekimin e nevojshëm, ndaj nga 20 pacientë sa aktualisht i kemi këtu, janë në gjendje më stabile, teksa rastet më të rënda janë nisur për në Shkup dhe Shtip”, tha drejtoresha Serafimova.
Pas zjarrit që shpërtheu mbrëmë në diskotekën “Puls” në Koçan ku po performonte grupi ADN, këngëtari Vlladimir Blazev-Panço ka djegie në fytyrë dhe dorë dhe ndodhet në mbështetje oksigjeni, kanë informuar familjarë të artistit.
Informacionet e para janë se vendi ku është organizuar festa fatale për të rinjtë nuk ka pasur kushte sigurie dhe nuk ka qenë adekuate për pranimin e aq numrit të madh të njerëzve, saqë thuhet se ka pasur, nga 1500-1700 persona.
Sipas gjetjeve fillestare, zjarri u shkaktua nga xixëllonja/spërkatës të përdorura për efekte vizuale skenike, të cilat ndezën pjesën e çatisë prej materiali të ndezshëm” trarë druri”.
Ka folur edhe Marija Taseva, 20 vjeçare, prezente në diskotekë e cila kë thënë, “Të gjithë filluan të vrapojnë jashtë. Të gjithë po përpiqeshin të shpëtonin. Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital. Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”, tha Taseva. /Telegrafi/
Tragjedia në Koçan, gjithçka që dihet deri tani appeared first on Telegrafi.