Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se ekzistojnë, siç tha, “shkaba” politike të cilat shkaktojnë tensione ndëretnike përmes problemit me kishën në Galate. Sipas tij, kjo është dëshmi e akuzave për destabilizimin për të cilat paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Në intervistë për TV Tellma, ministri Toshkovski vlerësoi se përpjekjet për përhapjen e tensioneve ndëretnike janë të pasuksesshme dhe se Ministria e Punëve të Brendshme do të marrë masa për të parandaluar plotësisht përpjekjet e tilla.
Ai theksoi se për pastrimin e rrethinës së kishës në Galate, komuna Vrapçisht, nuk ka pasur informacione as në Kishën Ortodokse Maqedonase (KOM).
“Gjithçka që ndodhi, sipas asaj që pashë, të paktën në xhirimet e publikuara, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar për të nxehur tensionet ndëretnike. Përpjekja e djeshme e disa shkabave politike për të nxitur, shtrembëruar situatën aktuale në drejtim të tensioneve ndëretnike. Nëse kjo nuk është dëshmi se ajo që kemi thënë në periudhën e kaluar, për faktin se do të ketë përpjekje në këtë periudhë kohore, në drejtim të destabilizimit, atëherë nuk e di se çfarë do të ishte”, deklaroi ministri Toshkovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski duke folur për ngjarjen në kishën në fshatin Galate apeloi që të mos luhet me harta etnike dhe fetare, duke theksuar se pret që të ketë edhe incidente të tjera të izoluara. Mickoski shtoi se edhe peshkopi edhe banorët janë distancuar nga incidente të tilla.
“Gjatë gjithë kohës paralajmëroj se nuk duhet të luhet në hartë etnike dhe fetare sepse kjo është harta në të cilën këta kriminelë të cilët në vitet e kaluara kanë fituar në kurrizin e popullit do të përpiqen të shkaktojnë destabilitet etj., dhe këto janë incidente të tilla të izoluara që do të pasojnë. E dëgjuat edhe deklaratën e peshkopit, e keni dëgjuar dhe lexuar konferencën për media në të cilën distancohet nga incidente të tilla, banorët e fshatit Toplicë të cilët gjithashtu distancohen nga incidente të tilla”, tha Mickoski.
Banorët e fshatit Galate, të cilët kanë iniciuar aksionin për rregullimin e hapësirës rreth kishës së dëmtuar nga zjarri në vitin 2001, janë ankuar se policia me urdhër të vetëqeverisjes lokale i ka penguar në qëllimin e tyre dhe përmes ndërhyrjes së policisë u ka bërë presion.
Në lidhje me rastin, MPB-ja informoi se me kallëzim të mëparshëm të inspektorit të urbaniymit nga Komuna e Vrapçishtit, është bërë inspektimi i zonës së quajtur “burimet e nxehta” (në mes të fshatrave Toplicë dhe Vrapçisht) në lokacionin e kishës “Sveta Petkë”, ku sipas raportit, janë kryer punime ndërtimore pa leje në kishë.
Toshkovski: Përpjekjet për të përhapur tensione ndëretnike me kishën në Gallatë kanë dështuar appeared first on Telegrafi.