
Me përurimin e Sistemit për kontroll të përbashkët kufitar të udhëtarëve dhe mallrave me një ndalesë (One Stop Shop) në vendkalimin kufitar Bllacë – Hani i Elezit me Kosovën, kalojmë në fazë të re të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Me këtë projekt, tha, hapim kapitull të ri të lidhjes, transport më të shpejtë, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi mes dy shteteve tona.
Ai theksoi se falë përkushtimit të dy qeverive, ministrive të Punëve të Brendshme dhe të shërbimeve kufitare, për më pak se një vit me ndërtimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale është marrë një sistem funksional që mundëson vetëm një ndalesë dhe një kontroll të pasaportave.
“Ky është rezultat i Marrëveshjes mes dy qeverive dhe Protokollit që e rregullon mënyrën e kontrolleve kufitare dhe doganore, infrastrukturën, këmbimin e të dhënave dhe ndarjen e harxhimeve. Qëllimi është i qartë – kalim më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të sigurtë të kufirit”, tha Toshkovski pas përurimit të Sistemit për kontroll të përbashkët kufitar të udhëtarëve dhe mallrave me një ndalesë.
Kjo, siç tha, për udhëtarët do të thotë një kontroll në vend të dy, pritje më të shkurtë dhe përvojë më të mirë, ndërsa për shërbimet – punë më efikase, koordinim më të mirë dhe luftë më të fuqishme kundër aktiviteteve joligjore.
Toshkovski: Hapim një kapitull të ri të lidhjes, “One Stop Shop” për transport, turizëm dhe miqësi mes dy shteteve tona appeared first on Telegrafi.