Në kuadër të aksionit të djeshëm, i cili u krye me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, MPB-ja ka kryer dy bastisje dhe janë privuar nga liria dy persona që mbanin poste drejtuese në Burgun e Shkupit, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski gjatë një vizite në Shtip. Ai theksoi se pretendimet që kanë konstatuar nga provat e deritanishme u japin bazë për të dyshuar se Burgu i Shkupit deri më tani ka funksionuar më shumë si subjekt juridik turistik-hotelierik sesa si burg, i cili duhet të kujdeset për personat e dënuar në përputhje me dispozitat ligjore.
“Vlerësojmë njëherë e përgjithmonë që ky lloj keqpërdorimi ndaj qytetarëve të Maqedonisë duhet të përfundojë brenda këtyre institucioneve. Për shkak të të gjitha kushteve që u ishin mundësuar personave të dënuar, ndërsa të cilat sipas ligjit nuk u takonin, si vizitat private nga tetë deri në dhjetë orë gjatë ditës jashtë burgut, me sigurimin e burgut, me vetura zyrtare, me karburant zyrtar dhe me orë të paguara jashtë orarit të punës nga ndonjë person juridik privat, por nga buxheti i qytetarëve të Maqedonisë. Vërtet mendoj se duhet të mbetet në harresë, çdo veprim i këtij lloji duhet të ketë procedurë përkatëse, në fund do t’ia lëmë gjykatës nëse do të vendosë të shqiptojë sanksione përkatëse”, tha Toshkovski.
Ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski, theksoi se kjo përveç se do të ketë efekt represiv ndaj individëve të caktuar, do të ketë edhe efekt parandalues në kuptimin e dërgimit të mesazhit tek opinioni se mosndëshkimi mbetet i harruar në Maqedoni dhe se më në fund ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe zbatohet ashtu siç i ka hije një shteti evropian.
I pyetur nëse kanë dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur edhe në burgjet e tjera të vendit, Toshkovski u përgjigj se hoteli “promaja” nuk është vetëm në Burgun e Shkupit, por edhe në disa burgje të tjera të vendit.
“Ne kishim ndërmarrë veprime procedurale, përkatësisht kemi bërë kallëzime penale në muajt e kaluar edhe për një burg tjetër që po ashtu drejtohej nga persona të caktuar, të cilët kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme në raport me personat e dënuar. Pra, ky nuk është rasti i parë i këtij lloji që ne kemi punuar dhe për të cilin kemi bërë kallëzime penale. Besoj se në të ardhmen do të ketë procedura të tjera lidhur me llojin e ngjashëm të kriminalitetit”, deklaroi Toshkovski gjatë vizitës së tij në Shtip.
Toshkovski: Burgu i Shkupit ka funksionuar më shumë si subjekt turistik- hotelierik sesa si burg appeared first on Telegrafi.