Numri enorm i automjeteve në Tetovë, ka bërë që qyteti të jetë i ngufatur nga të gjitha anët. Mijëra automjete në rrugë të ngushta, numri i vogël i vendeve të parkingjeve, mos hapja e bulevardeve të reja, mosndërtimi i parkingjeve në kate, kanë bërë që këtyre ditëve të ketë një kaos të vërtetë në komunikacion.

Për të zbutur sadopak këtë gjendje të rëndë me mungesën e vendeve të parkimit, autoritetet komunale, detyrohen që dy herë brenda vitit të hapin oborret e disa shkollave fillore dhe të mesme, si vende për parkim. Në këtë periudhë kur nxënësit veçmë kanë filluar pushimin dimëror, këta oborre do të jetë të lira për parkim.

“Komuna e Tetovës i informon të gjithë qytetarët se, duke filluar nga dita e premte oborret e shkollave fillore ‘Istikball’, ‘Liria’ si dhe Shkolla e Mesme ‘Kiril Pejçinoviq’ do të jenë të hapura për parkim të automjeteve. Kjo do ta lehtësojë komunikacionin gjatë festave të fund vitit kur mërgimtarët tanë vijnë për pushime dhe kemi frekuentim më të madh”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Tetovës.

Njëjtë veprohet edhe gjatë muajve të verës, kur mërgimtarët kthehen në vendlindje dhe ka kaos të vërtetë në rrugët e Tetovës. Edhe gjatë verës, oborret e shkollave lirohen për parkim. Nga Ndërmarrja Publike Tetova Transport, kanë bërë të ditur se shkak i kaosit këtyre ditëve autobusët mund të përballen me vonesa në qarkullim për shkak të fluksit të madh të veturave në qytet.

“Gjithashtu, duam të bëjmë apel tek vozitësit që të respektojnë rregullat në komunikacion, të mos bllokojnë nënstacionet pritëse të udhëtarëve si dhe të shfrytëzohet autobusi i qytetit për të ulur kështu ndotjen e ajrit dhe për të mos shkaktuar kaos në komunikacion”, njoftojnë nga Ndërmarrja Publike Tetova Transport.

Kaosi në qytetin e Tetovës, jo rrallë herë ka përplasur pushtetin lokal dhe pushtetin qendror. Akuzat më të shpeshta që janë bërë nga pushteti lokal në Tetovë, janë se policia nuk merr masa për të vendosur rend në rrugët e Tetovës, pasi që shumë vende parkimi janë të lira dhe vozitësit nuk parkohen në parkimin zonal.

Nga ana tjetër policia thotë se ndërmerr vazhdimisht masa vozitësve që nuk respektojnë rregullat e parkimit. Sipas policisë, në 11 muajt e kaluar të këtij viti, zyrtarët policorë të Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës kanë shqiptuar gjithsej 5148 masa për parkim të paligjshëm. Numri më i madh i masave të shqiptuara ka të bëjë me parkimin në të ashtuquajturat “rende të dyfishta. Krahas kësaj, shërbimi komunal i merimangës së Tetovës ka ngritur dhe larguar gjithsej 3767 automjete të parkuara gabimisht.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Tetovës, ka thënë se përderisa vendparkimet janë të lira dhe automjetet parkohen në rrugë, ndërsa policia nuk vepron, komuna nuk mund të ndërtojë parkingje në kate. Sipas tij, kur policia do jetë më aktive në rregullimin e komunikacionit, vozitësit do të detyrohen që të parkohen në vendparkime, atëherë mund të mendohet për ndërtimin e parkingjeve të reja. Në ndërkohë, pritet që këtë vit, Ndërmarrja Parkingu i Qytetit, të jepet me partneritet publiko privat. Kreu i komunës së Tetovës, këtë e ka arsyetuar se deri më tash komuna nuk gjeneron të hyra nga kjo ndërmarrje për shkak se kjo ndërmarrja ka ende borxh të lartë.

Tetovë, oborret e shkollave shndërrohen në parkingje appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version