Defektet e njëpasnjëshme në rrjetin e ujësjellësit në Tetovë krahas që lënë qytetarët pa ujë të pijshëm, në anën tjetër po dëmtojnë edhe infrastrukturën rrugore brenda në qytet. Problemet e kësaj natyre janë më të theksuara në ato rrugë ku është i vjetruar sistemi i ujësjellësit, i cili shpeshherë ka defekte dhe punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Sharri”, për të sanuar të njëjtat – e kanë patjetër të kryejnë punë në rrugë.
Kjo problematikë nuk është shfaqur vetëm në këtë kohë, por dekada me radhë e mban peng edhe infrastrukturën brenda në qytet për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta në rrjetin e ujësjellësit.
Së fundmi, një defekt në rrjetin e ujësjellësit është regjistruar në bulevardin e Ilindenit në kthesën për në Bërvenicë – afër shkollës së mesme të mjekësisë. Në këtë pjesë, pas ndërhyrjes së punëtorëve për të sanuar defektin, rruga është dëmtuar tejmase dhe shkakton probleme edhe për automjetet që qarkullojnë, por pengon lëvizjen e lirë të tyre.
Probleme të kësaj natyre janë hasur edhe në rrugën përballë Tregut të Gjelbër në Tetovë, ku një gropë e madhe ka shkaktuar shumë probleme për drejtuesit e veturave. E njëjta së fundmi është sanuar, por gjatë tërë kohës sa ka qenë e hapur, nuk ka patur njoftim se në atë vend janë zhvilluar punime. Nga Komuna e Tetovës thonë se së shpejti do të intervenohet në këto pjesë ku janë zhvilluar punimet. “Ndërmarrjet komunale janë duke bërë përgatitjet që sa më shpejt të intervenojnë dhe të sanohen gropat ku janë zhvilluar punimet për shkak të rrjetit të ujësjellësit. Pas sanimit të defektit të ujësjellësit, në momentin e parë që do të kenë kohë, ndërmarrjet përgjegjëse do të kthejnë në gjendjen normale pjesët ku janë bërë punime”, deklaroi zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani.
Qytetarët, nga ana tjetër, pohojnë se në këto raste duhet që autoritetet komunale të vendosin shenja njoftuese dhe paralajmëruese se në atë vend kryhen punë me qëllim shmangien e dëmtimit të veturave. Në dy vendet që së fundmi janë zhvilluar punime në rrugë në sanimin e defekteve, kanë munguar shenjat paralajmëruese. Prandaj edhe kërkojnë që në kohë të njëjtat të vendosen, sepse jo rrallë herë kanë dëmtuar veturat e tyre duke mos patur njoftim paraprak për punime në rrugë. Në shumë lagje të Tetovës apo në rrugë kryesore ka shumë defektet në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës, dhe për sanimin e tyre – më shumë e pëson infrastruktura rrugore.
Autoritetet komunale pohojnë se problem në vete janë edhe kyçjet ilegale që kryejnë qytetarët në rrjetin e ujësjellësit ose të kanalizimit dhe shpeshherë këta kyçje regjistrohen pasi që është asfaltuar rruga./Koha.mk/
Tetovë, defektet në ujësjellës po dëmtojnë rrugët appeared first on Telegrafi.