Kuvendi i RMV-së të mërkurën në suaza të seancës së 145-të pritet të zgjedhë anëtar të ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Sipas informacioneve të AIM, propozimi që Abdush Demiri të jetë anëtari i shtatë i organit më të lartë zgjedhor në vend mund të marrë mbështetje nga më shumë se 80 deputetë, edhe pse për votimin e tij nevojitet shumicë prej dy të tretave.

Burimet partiake për AIM thonë se pritet për Demirin të mos votojnë deputetët e BDI-së dhe nga krahu i Zijadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa LSDM, OBRM-PDUKM dhe koalicionet e tyre si dhe opozita shqiptare do ta mbështesin.

Pas mosmarrëveshjeve disa muajshe për atë se cila parti shqiptare të ketë anëtarin e saj në KSHZ, Demiri mbeti kandidati i vetëm pasi Zulfi Adili nga ASH u tërhoq sepse u emërua drejtor në Agjencinë për Investime të Huaja.

Abdush Demiri vjen nga Lëvizja Besa dhe është propozim i mbështetur nga partitë e opozitës shqiptare. Nëse votohet, në më pak se tre muaj do të kompletohet përbërja e KSHZ-së. Komisioni më shumë se një vit është pa një anëtar sepse Krenar Lloga u bë ministër i Drejtësisë.

Në rend dite të seancës së 145-të që është caktuar për të mërkurën 28 shkurt në orën 11, është gjithashtu ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat argëtuese – në lexim të tretë. Ligji është rikthyer në rend dite, pasi presidenti Stevo Pendarovski nuk e nënshkroi dekretin për të. Për miratimin e këtij ligji, shumicës parlamentare i nevojiten 61 vota.

Tani për tani, ndër të tjera, në rend dite të kësaj seance është edhe Propozimi për vendim për të miratuar vazhdimin e afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në një pjesë të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të parandalimit të kërcënimeve të sigurisë dhe forcimin e sigurisë së INP Idrizovë./Telegrafi/

 

Të mërkurën deputetët do të votojnë për anëtarin e KSHZ-së dhe Ligjin për lojërat e fatit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version