Goditje e re për ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Presidenti amerikan Donalld Tramp ka vendosur tarifa të reja të importit për 60 vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut, me tarifë prej 33%, që do të thotë se importuesit amerikanë do të duhet të paguajnë tarifë shtesë në vlerën e një të tretës së mallrave, e cila pritet të zvogëlojë eksportet nga vendi në SHBA. Eksportet kryesore të Maqedonisë në SHBA janë duhani, veshmbathjet, hekuri dhe çeliku. Qeveria thotë se masat e tilla nga SHBA-të nuk do të kenë ndikim të madh në vend, por siç thuhet në deklaratën e tyre, kanë plan të përgatitur për tejkalimin e gjithë situatës.

“Nuk ka nevojë për panik, as për reagime dhe konkluzione të nxituara. Kjo është diçka që është paralajmëruar gjatë kohë nga kjo administratë dhe asnjë vend nuk ka mbetur jashtë, as partnerët më të vjetër dhe më tradicional të Shteteve të Bashkuara. Kjo është përpjekje për t’i rinegociuar marrëdhëniet tregtare në botë, diç që ishte e nevojshme, për disa është goditje, por për disa do të thotë mundësi”, thonë nga Qeveria.

Ekspertët thonë se masa të tilla përbëjnë “tërmet” si për Evropën ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Shtojnë se kjo është goditje e rëndë për biznesin. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se si vend mik i SHBA-së, Qeveria duhet të marrë masa.

“Do të ketë ende rritje negative të eksporteve. Kështu që mendoj se një rritje prej 30% në krahasim me vendet e tjera që kanë 10 për qind është shumë e lartë dhe mendoj se do të jetë barrë e madhe për prodhimin dhe eksportet për Shtetet e Bashkuara. Mendoj se Qeveria jonë duhet të marrë masa këtu, që të paktën të ulet përqindja e eksportit të mallrave nga Maqedonia”, deklaroi Mendi Qyra – Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Nga rajoni, Serbia është prekur me shkallën më të lartë prej 37.2%, e ndjekur nga Bosnjë- Hercegovina me 35% dhe Kosova dhe Shqipëria me nga 10%. Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikës, tregtia e Maqedonisë me SHBA-në vitin e kaluar ka qenë mbi 315 milionë dollarë. Në të njëjtën kohë, eksporti nga Maqedonia në SHBA ka arritur në 118,2 milionë dollarë.

“Eksportet nga Maqedonia në SHBA vitin e kaluar kanë arritur në 118,2 milionë dollarë, që është 2,2 herë (220 për qind) më shumë se në vitin paraprak, 2023, kur ishte 53,6 milionë dollarë. Njëkohësisht, vitin e kaluar janë importuar produkte në vlerë prej 195,9 milionë dollarë nga SHBA-ja, 26,6 milionë dollarë më pak se viti 2023 kur importi në Maqedoni nga SHBA-ja ka qenë 267 milionë dollarë”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Institucionet shpresojnë se këto masa do të jenë afatshkurtër, pasi do të ketë destabilizim të tregut, jo vetëm në Maqedoni dhe Evropë, por edhe më gjerë. /Alsat/

Tarifat e Trampit, Ekspertët: Maqedonia do të preket në mënyrë indirekte appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version