Arben Taravari, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, ka shpallur zyrtarisht qëndrimin e tij në lidhje me zgjedhjet parlamentare të ardhshme në Maqedoninë e Veriut. Përfaqësuesi i shquar politik ka bërë të ditur se pas një periudhe konsultimesh dhe refleksioni personal, është koha për të ndryshuar sistemin politik duke larguar epideminë e korrupsionit, njofton Telegrafi.
“Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur! Asnjëherë ky Ndryshim nuk ka qenë më i sigurtë dhe më i prekshëm. Askush nuk ka kredibilitet më të madh se Aleanca për t’a sjellur Këtë Ndryshim!”, deklaroi Taravari.
Taravari gjithashtu përmendi se ata janë në rrugën e trasuar nga Arben Xhaferi dhe se synimi është të bashkohen me familjen e madhe evropiane, duke kultivuar aleancën e përhershme me SHBA dhe NATO.
Duke besuar në bashkëpartiakët e tij dhe në vizionin e përbashkët, Taravari kërkoi besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, për të bërë më të mirën për vendin.
“Sot këtë Mundësi e kemi para nesh. Le të jemi ne ata që do e shkruajnë Historinë!”, përfundoi Taravari në postimin e tij në Facebook. /Telergafi/
Taravari: Kërkoj nga Kuvendi i partisë të më mbështet për “ndryshimin e madh” appeared first on Telegrafi.