Ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i ASH-së, Arben Taravari ka ndarë sot një lajm për situatën në koalicionin VLEN. Ai informoi se tashmë ka biseduar me kryeministrin Hristijan Mickoski.

“Ne si parti politike vendosëm të dalim me listat tona për këshilltarë, ashtu siç vendosi ZNAM, por në mbështetje të ndërsjellë me OBRM-PDUKM-në. Të njëjtën gjë ia kemi ofruar edhe VLEN-it. Shoh reagime emocionale nga ajo që ka mbetur në VLEN. Gjatë kësaj periudhe duhet të jemi të kujdesshëm dhe të zgjuar dhe të përpiqemi të jemi më racionalë sepse këtu bëhet fjalë për politikë.

Nuk dua të bëj parashikime dhe mundohem të marr vendime sa më të justifikuara. Në fund të fundit, nëse VLEN-i është i vendosur për atë që kanë thënë ditët e fundit, ne si parti do t’i shohim opsionet tona për kandidatët për kryetar komunash”, tha Taravari gjatë një vizite në Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë.

Taravari thotë se nëse Kryeministri vlerëson se qeveria nuk ka nevojë për ASH-në, atëherë do të largohen nga qeveria.

“Qeverinë e formon Kryeministri. Kam folur me Kryeministrin dhe do të flas sërish. Nëse ai mendon se ASH nuk duhet, nuk e kemi problem (të largohemi nga Qeveria). Megjithatë, besoj se partia duhet (në Qeveri). Këtë nuk mund ta thotë askush tjetër përveç atij që formon qeverinë. Nuk duhet të nxitohemi”, tha Taravari për daljen e mundshme të partisë së tij nga shumica parlamentare./Telegrafi/

Taravari: Kam biseduar me Mickoskin, nëse na konsideron të panevojshëm ASH do të largohet nga Qeveria appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version