Kryetari Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari shprehu qëndrimin e tij për nevojën e një debati të hapur pas zgjedhjeve mbi një ndryshim të Kushtetutës dhe një rregullim të ri të strukturës shtetërore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Taravari theksoi se ky nuk është një qëndrim nacionalist, por një perspektivë që synon një sistem më funksional dhe zhvillim të vazhdueshëm për vendin.
“Është legjitime të flitet për një Kushtetutë të re, nëse kjo aktuale është arnuar 100 herë. Është legjitime të flitet për një të re që do të jetë shumë më funksionale dhe do t’i mundësojë vendit të zhvillohet shumë më mirë se sa është tani. Këto nuk janë deklarata nacionaliste, edhe pse disa i perceptojnë si të tilla. Kjo është pamja ime e vërtetë. Si politikanë, ne kemi për detyrë të shikojmë projeksionin se si do të duket vendi në të ardhmen. E kemi obligim të themi disa gjëra, ndaj do të shohim nëse kemi pasur të drejtë,” deklaroi Taravari për “Studio”.
Gjithashtu, ai shprehu shqetësimin e tij për mungesën e veprimeve në drejtim të decentralizimit, duke theksuar se pas 15 vjetësh diskutimesh, ende nuk është ndërmarrë asgjë konkrete në këtë drejtim.
Taravari shtoi se është koha për një dialog të hapur dhe ndryshime që do të çonin drejt një strukture shtetërore më efikase dhe transparente për të ardhmen e vendit. /Telegrafi/
Taravari: Është legjitime të flitet për një Kushtetutë të re që do të jetë më funksionale appeared first on Telegrafi.