Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, theksoi se edhe përkundër përfundimit të ditëve të zisë shtetërore pas rastit tragjik në Koçan, dhimbja për humbjet mbetet e thellë.

“Edhe pse ditët zyrtare të zisë shtetërore përfundojnë sot, dhimbja mbetet e qetë, e thellë dhe personale. Por me të, shqetësimi mbetet,” ka shkruar Taravari në një postim në Facebook.

Ai ka nënvizuar se tragjedia e fundit ka vënë në sprovë të rëndë jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet dhe sistemin shëndetësor të vendit. Sidoqoftë, ai ka vlerësuar reagimin e shpejtë të ekipeve mjekësore, duke siguruar se gjendja e pacientëve të trajtuar në spitalet e Maqedonisë është stabile.

“Mbetemi në koordinim të vazhdueshëm me klinikat në shtetet fqinje dhe mike, ku po trajtohen disa nga të lënduarit më rëndë. Ne e presim me padurim ditën kur të mundemi, me krenari dhe lehtësim të madh, të njoftojmë se ata po kthehen në shtëpi, një nga një,” ka shtuar ai.

Taravari ka shprehur falënderime për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë situatë të vështirë, duke përfshirë qytetarët brenda dhe jashtë vendit, institucionet, organizatat dhe punonjësit e shëndetësisë.

“Ne do të vazhdojmë të jemi aty ku duhet më shumë, pranë pacientëve, me gjithë dijen, vëmendjen dhe përgjegjësinë që meritojnë,” ka përfunduar Taravari.

Taravari: Ditët e zisë përfundojnë por dhimbja mbetet e thellë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version