Mbi 36 avionë kanë qenë duke fluturuar në hapësirën ajrore të Maqedonisë në momentin kur kreu i degës së BDI-së në Çair Bekim Neziri, sipas kreut të Sindikatës së Kontrollorëve duke përdorur kartën e tij dhe duke shkelur protokollet u fut të kullën e radarëve për të grushtuar njërin nga kontrollorët, përkatësisht Premtim Berishën.

Kreu i Sindikatës së Kontrollorëve tha se hyrja në një objekt të vrojtimit të fluturimeve përbën akt terrorist dhe cenim të sigurisë kombëtare.

“Vet objekti për kontroll të fluturimeve është hapësirë strikte për objekt sigurie që interes kombëtar për të hyrë atje ka protokolle të posaçme sigurie. Ne besojmë se me normat ndërkombëtare ky akt në ndonjë shtet normal në Evropë apo Botë do të trajtohej si akt terrorizmi. Vet hyrja në ato hapësira paraqet rrezik sepse nuk të vij deri te sulmi, nëse personi ishte duke përcjell ato pozicione që për momentin është dashur të ndaj dy ose më tepër vija të fluturimit, atëherë ekziston rreziku për ndeshje potenciale të atyre aeroplanëve”, tha Aleksandar Tasevski, Sindikata e Kontrollorëve.

Siguria e pasagjerëve dhe ajo e hapësirës ajrore pritet të përbëjnë kualifikimin e veprës penale ndaj Bekim Nezirit, i cili sipas informacioneve të fundit të MPB-së është i ndaluar dhe vazhdon të merret në pyetje.

“Në lidhje me sulmin e djeshëm ndaj të punësuarave në M-NAV, me urdhër të Prokurorisë Publike në stacionin policor po bëhet bisedim zyrtar me B.N. Në pyetje janë marrë mbrëmë edhe tre të shoqëruarit e tjerë, kurse policia është në kërkim të katër autorëve të tjerë në arrati”, thonë nga Ministria e Brendshme.

MPB ende nuk ka bërë kallëzimet penale, derisa akoma po merr deklarata të dëshmitarëve, në mesin e të cilëve ishin edhe 3 punonjës të sulmuar fizikisht. Janë siguruar edhe pamjet e kamerave.

“Prokuroria Themelore Publike është duke punuar lidhur me sulmin në M-NAV, pas së cilës katër persona janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa MPB-ja ka njoftuar mbrëmë vonë se janë në kërkim të katër të tjerëve. Për momentin po kryhen veprimet për zbardhjen e ngjarjes. Prokuroria Themelore Publike gjatë ditës pret kallëzim penal nga MPB-ja”, tha Prokuroria Publike.

Ndërkaq sot, policia vazhdon të qëndroj në ndërtesën e M-NAV për të garantuar sigurinë e kontrollorëve të trafikut ajror, por edhe të garantojë funksionimin e sigurt të trafikut për aeroportet e Shkupit dhe Ohrit. Një ditë më parë kreu i Sindikatës denoncoi se gjatë akteve të dhunshme sigurimi i brendshëm i M-NAVIT, i ofruar nga një kompani sigurimi nga Kërçova nuk ndërhyri për parandalimin e incidentit. Sipas policisë një ditë më parë 8 persona ia mësynë M-NAVIT për të shtypur revoltën e sindikatës, sidomos për të heshtur kontrollorët shqiptarë që ishin rreshtuar me Sindikatën. Sipas dëshmitarëve, Neziri i ka çuar shtatë persona, në mesin e të cilëve edhe Ersen Sali, të cilët nuk janë të punësuar në këtë institucion direkt në dhomën e radarit, ku edhe ka ndodhur përdorimi dhunës. Sipas dëshmive ishin me 2 makina, ata kanë kaluar 3 barriera sigurie: portën në oborrin e M-NAV, derën e hyrjes në ndërtesë ku kanë qasje vetëm ata me kartë elektronike dhe kullën e kontrollit ku nuk ka mundësi për lëvizje të pashoqëruar nga stafi. Një incident i shkaktuar nga Bekim Neziri në M-NAV ka ndodhur edhe në vitin 2010, por rasti nuk ka qenë i paraqitur në polici. Rasti u përmend nga Sindikata vetëm dje, duke pretenduar se e kanë të dokumentuar incidentin e 13 viteve më parë./Alsat/

Sulmi në M-NAV cenoi sigurinë ajrore në vend, pati rrezik për përplasje të aeroplanëve appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version