Te një pjesë e të pësuarve nga zjarri në Koçan janë konstatuar djegie të shkallës së parë dhe të dytë, por te tre persona ka pasur edhe djegie të shkallës së katërt, ndërsa te katër u konstatuan se kishin brinjë të thyera dhe ngulfatje nga presioni gjatë ikjes (stampedës), ndërsa nuk kishte lëndime nga trarët eventualisht të shembur.

Te të gjitha 59 viktimat, gjatë identifikimit janë përdorur dy metoda, DNK analiza dhe daktiloskopia, por te katër ishte e pamundur të merreshin shenjat e gishtërinjve, prandaj u bë vetëm analiza e DNK-së. Në rrjedhë janë analizat toksikologjike për të përcaktuar se çfarë ishte e pranishme në gjakun e të ndjerëve, ndonëse sipas gjetjes makroskopike gjatë autopsive, shumica e tyre kishin monoksid karboni, tha sot udhëheqësi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov, i cili informoi për autopsinë e zbatuar dhe identifikimin e të ndjerëve.

Siç theksoi Stankovi, të gjitha raportet e autopsisë pritet të përfundojnë në muajin mars, por analizat toksikologjike mund të marrin më shumë kohë. Do të bëhen gjithashtu analiza patologjike dhe gjithçka që do të përpunohet, Instituti i Mjekësisë Ligjore do ta dorëzojë në Prokurorinë që urdhëroi ekspertizë.

Autopsitë filluan në mbrëmjen e 16 marsit, ndërsa përfunduan në mëngjesin e 18 marsit. Identifikimi, nga ana tjetër, ka përfunduar 99 për qind të martën, më 18 mars dhe plotësisht në mëngjesin e 19 marsit. Fillimisht identifikimi është kryer në spitalet ku kanë qenë viktimat, por vetëm me ndihmën e njohjes dhe dokumenteve personale, e më pas u aplikua edhe DNK analizat dhe daktiloskopia me ç’rast, për të mos bërë asnjë gabim, u bë kontroll disa herë.

“Nga 59 persona të autopsuar, 70 për qind ishin midis 16 dhe 29 vjeç, 16 nga të ndjerët ishin femra dhe 43 ishin meshkuj. Nuk do të hyja në detaje pse nuk janë përfunduar të gjitha analizat, por ka thyerje të brinjëve dhe shenja presioni që kanë çuar në mbytje”, nënvizoi Stankovi në konferencën për media.

Lidhur me asfiksimin, mjeku shpjegoi se nën ndikimin e monoksidit të karbonit, ndodhin dhimbje koke, të vjella, marramendje, pavetëdije, çorientim, paralizë e muskujve, dhe në raste të tilla, viktimat zakonisht ndodhen pranë vendit nga i cili janë përpjekur të ikin.

“Ky gaz është shumë i rrezikshëm, nuk ka erë dhe shije, vepron në sistemin nervor qendror, paaftëson viktimat dhe vdekja mund të ndodhë shumë shpejt, në pak minuta, në varësi të përqendrimit. Në diskotekë ku ka ndodhur zjarri, në atë tym dhe hapësirë, nën ndikimin e monoksidit të karbonit, vdekja mund të ndodhë shumë shpejt. Ky është gaz shumë i rrezikshëm dhe më së shpeshti ndodh gjatë zjarreve të tilla, për shkak të djegies së pamjaftueshme, të paplotë. Megjithatë, në këtë rast, gjëra të tjera si mbytja e ambientit duhet të merren parasysh sepse zjarri djegës konsumon oksigjen, dhe përveç ndikimit të monoksidit të karbonit, ekziston edhe një sasi e reduktuar e oksigjenit, theksoi Stankovi, duke shtuar se në shumicën e rasteve në zjarre të tilla të mëdha, nuk përjashtohet që mund të ndodhë edhe hidrogjeni i cianidit dhe hidrogjeni i squfurit.

Ekipeve mjeko-ligjore maqedonase u ndihmuan kolegë nga Athina, Selaniku, Nishi, Beogradi, Prishtina, Tirana, Sarajeva,…, por ekspertët tanë, siç thekson Stankovi, e bënë punën vetë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Stankovi nënvizoi se autopsitë janë të domosdoshme për të dëshmuar të vërtetën.

“Autopsitë janë një lloj grumbullimi i provave materiale sepse përcaktojnë shkakun e vdekjes, nëse ka lëndime të tjera dhe nëse shkaku i vdekjes lidhet me ngjarjen. Për të dalë në dritë drejtësia dhe për të pasur proces të kompletuar gjyqësor, por edhe që të dëshmohemi si shtet juridik, normal, duhet të respektohen disa rregulla, ne i respektojmë ato rregulla, nuk mund të identifikojmë dhe përcaktojmë shkakun e vdekjes vetëm me ekzaminim, duhet të bëhet një autopsi e plotë dhe identifikim pozitiv në mënyrë që të vijmë para gjykatës ku do të kemi shumë pyetje që të mund t’u përgjigjemi atyre”, sqaroi doktori.

Stankov: Tek tre nga viktimat e zjarrit në Koçan ka pasur djegie të shkallës së katërt, ndërsa tek katër thyerje të brinjëve appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version