Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka dalë me apel për qytetarët, që të jenë të kujdesshëm gjatë sezonit të ngrohjes, gjegjësisht pas rritjes së numrit të zjarreve për shkak të instalimeve elektrike të vjetërsuara, furrave me defekte dhe oxhaqeve të papastruara nëpër shtëpi.

SPB-Tetovë sërish apelon tek qytetarët për vigjilencë maksimale, gjegjësisht të mos i lënë të ndezura aparatet ngrohëse kur nuk ndodhen për një kohë të gjatë në shtëpi apo ambiente të punës, e sidomos jo ngrohëset, kondicionerët apo shporetët me dru. Sepse mjafton vetëm një shkëndijë e vogël për të ndezur një zjarr të madh me pasoja të rënda materiale dhe të tjera. Kjo vlen veçanërisht për ndërtesat e banimit, ku lokalizimi i zjarreve është shumë më i vështirë, për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shumë prej tyre dhe aksesit të vështirë në ndërtesa, kryesisht për shkak të ndërtimit apo arsyeve të tjera”.

“Pronarët e shtëpive dhe qiramarrësit në ndërtesa këshillohen të kontrollojnë dhe pastrojnë oxhaqet të paktën dy herë në vit, por edhe të mos mbingarkojnë instalimet duke ndezur disa pajisje elektrike njëherësh. Sepse, sipas nenit 288 të Kodit Penal, shkaktimi i rrezikut publik është vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, e nëse është bërë nga pakujdesia, dënimi është deri në tre vjet”, thonë nga SPB Tetovë.

“Prandaj qytetarët luten që në vazhdimësi të respektojnë këto apele dhe udhëzime, për të parandaluar zjarret e mundshme dhe për të parandaluar pasoja më të rënda për jetën dhe pronën e tyre”, shtojnë nga SPB Tetovë./Telegrafi/

SPB Tetovë: Qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë sezonit të ngrohjes, rritet mundësia për zjarre appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version