Me ngjarje të ndara të pushtetit dhe opozitës shqiptare, sot (13 gusht) në Shkup do të shënohet 23 vjetori nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001.
Qeveria do ta shënojë përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit me seancë formale në ora 13:00, në të cilën, siç është paralajmëruar, do të flasin kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Paraprakisht, në ora 10:00 në Klubin e deputetëve në Shkup, në organizim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të mbahet panel diskutimi me temën “23 vjet pas Marrëveshjes Kornizë, decentralizimi mbetet sfidë”, në të cilin përveç zëvendëskryeministrit Mexhiti, panelistë janë paralajmëruar edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski dhe profesorët Rizvan Sulejmani, Nano Ruzhin, Afrim Osmani dhe Bujamin Bela.
Mexhiti sonte do të organizojë edhe pritje zyrtare në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup.
Festë të veçantë për përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit do të organizojë edhe Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI. Ata do ta shënojnë 23 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë me një manifestim të titulluar “Akademia për legjitimitet” që do të mbahet në mesditë në hotelin Aleksandar Palace në Shkup.
Ndryshe, Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup nga presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i OBRM-PDUKM-së, Ljubço Georgievski, si dhe liderët e atëhershëm të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i PPD-së Imer Imeri dhe i PDSH-së, Arben Xhaferi. Nënshkrimet e tyre në marrëveshje kanë vendosur edhe përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së, François Léotard dhe James Perdue. Në bisedimet që filluan në korrik në Shkup dhe më pas vazhduan në Ohër, u konsultuan disa këshilltarë dhe ekspertë.
Më shumë se 130 ligje, ndryshime ligjore dhe plotësime janë miratuar në vitet e kaluara që nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, nga të cilat pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, edukimit dhe decentralizimit të pushtetit.
Për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes është themeluar Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili në vitin 2019 është transformuar në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve./Telegrafi/
Sot shënohet 23 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit appeared first on Telegrafi.