Nuk ka ende një vendim zyrtar se si do të veprojnë deputetët e koalicionit VLEN në Kuvend, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga Koalicioni VLEN. Shefi i grupit parlamentar, Halil Snopçe, i cili vjen nga radhët e ASH-së së Arben Taravarit thekson se tani për tani nuk ka ndonjë paralajmërim se koalicioni do të veprojë ndaras në Kuvend.
“Për momentin nuk ka paralajmërim as nga ana jonë e as nga ana e partnerëve tanë se do të veprohet me grupe të veçanta parlamentare. Kjo i bie se ende po veprojmë si grup i përbashkët parlamentar. Fundja, këto vendime qoftë të njërës, qoftë të palës tjetër kanë të bëjnë për zgjedhjet e ardhshme lokale”, deklaroi Halil Snopçe, deputet i ASH.
Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, sot theksoi se ende nuk është biseduar se si do të funksionojë grupi parlamentar, megjithatë tha se çdo deputet do të jetë i mirëseardhur në grupin parlamentar të VLEN-it, nëse është i gatshëm të jetë pjesë e transformimit të koalicionit në një parti politike.
Grupin parlamentar të koalicionit VLEN tani për tani e përbëjnë 14 deputetë. Pesë deputetë janë të Aleancës për Shqiptarët, nga 3 të Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, 2 të Lëvizjes BESA dhe 1 deputet i pavarur, respektivisht Bekim Qoku.
Sipas rregullores së Kuvendit për të formuar grup parlamentar, duhet pasur së paku pesë deputetë, që do të thotë se Taravari ka mundësi të formojë grupin e vet parlamentar nëse janë të pajtimit deputetët Halil Snopçe, Rijad Shaqiri, Mimoza Musa, Sadik Sulejmani dhe Salim Sulejmani./Alsat/
Snopçe: S’ka vendim për grupin parlamentar të VLEN-it, ende veprojmë bashkë appeared first on Telegrafi.