
Edhe pas formimit të qeverisë politike në Bullgari, Shkupi dhe Sofja nuk arrijnë të ftohin gjakrat dhe të hedhin hapin e ardhshëm në drejtim të zhbllokimit të eurointegrimit. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Bullgaria harron se si ndërtohen raportet e mira.
“Me vjen keq që ministri i ri në Ministrinë e Punëve të Jashtme në shtetin fqinj lindor harron se gjithsesi raportet e mira ndërfqinjësore janë vlerë themelore e vlerave Evropiane, pa marrë parasysh a është dikush në BE ose jo. Gjithsesi ne jemi partner në NATO. Ne do të mbesim këtu dhe bashkëqytetarët tanë atje në Bullgari. Nëse ndryshimi i kushtetutës nuk është përzierje direkte në një shtet sovran dhe të pavarur atëherë nuk e di çfarë është”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ka reaguar edhe Ministria e Jashtme. Nga atje me keqardhje konstatojnë se fqinji përsëri përpiqet përgjegjësinë për mosplotësimin e detyrimeve të tyre ndërkombëtare ta hedhë të shteti ynë.
“Theksojmë se respektimi dhe realizimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut nuk është çështje bilaterale, por detyrim i secilit shteti anëtar të Këshillit të Evropës. Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet tërësisht e përkushtuar në sundimin e të drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive si vlera themelore për integrimin evropian, nuk mundet të pranojë mohimin dhe relativizimin e tyre, duke përfshirë edhe të drejtat e pjesëtarëve të pakicës maqedonase në Republikën e Bullgarisë”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Nga Ministria e Jashtme thonë se politika e kushtëzimit nuk ndihmon në ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore dhe se angazhohen fuqishëm për dialog.
Këto reagime në Shkup vinë një ditë pasi Ministria e Jashtme në Sofje i reagoi Mickoskit duke kujtuar se vendimi i BE-së nga korriku 2022 vlen akoma dhe se është për t’u habitur që detyrimet e marra nga Maqedonia, kryeministri Mickoski i përjeton si përzierja në punët e brendshme.
“Deklarata të tilla i konsiderojmë si një përpjekje tjetër për të anashkaluar angazhimet e marra dhe për të larguar vëmendjen e publikut nga mungesa e reformave. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe një herë dëshmon mungesën e të kuptuarit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë mënyrë, me dëshirë apo pa dëshirë, promovon teza manipuluese dhe false, të cilat mund të konsiderohen si ndërhyrje reale në punët e brendshme të Republikës së Bullgarisë”, thonë nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë.
Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë dhe respektimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë janë kushte në kornizën negociuese që vendi duhet t’i plotësojë për të hapur kapitujt e anëtarësimit. /Alsat/
Shkupi dhe Sofja nuk kanë bërë as edhe një hap drejt zhbllokimit të eurointegrimit të vendit appeared first on Telegrafi.