Në RMV është shënuar rritje e numrit të të prekurve nga Covid-19, ndërsa autoritetet apelojnë që të respektohen rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektive. Nga data 12 deri më 18 gusht janë regjistruar 271 raste të reja me koronavirus, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) që paraqet rritje prej 60,4 për qind në krahasim me javën e kaluar.
Zëdhënësi i Komisionit për sëmundje infektive, Zllate Mehmedoviq në deklaratën për AIM ka thënë se për momentin gjendja me Kovid-19 tek ne nuk është alarmante dhe nuk ka vend për panik te qytetarët.
“Duhet të respektohen rregullat e shtëpisë për vizitë në objektet shëndetësore. Të vaksinohen të gjithë personat që janë mbi 65 vjeç dhe ata që kanë sëmundje kronike, ata janë në rrezik të shtuar për të zhvilluar formë të rëndë të sëmundjes ose të ketë një përfundim fatal. Institucionet që tashmë do të testojnë pacientë me simptomat të lehta, pozitiv në Kovid-19 të ofrojnë kushte për izolim për të vazhduar trajtimi i sëmundjes për të cilën është shtruar në klinikën përkatëse”, thekson Mehmedoviqi.
Aty ku ka frekuencë të shtuar të njerëzve, duhet të përdoren maska mbrojtëse si dhe më shpesh të kontrollohen hapësirat. Nëse një person është pozitiv me koronavirus dhe nuk ka simptoma të theksuara, siç theksoi Mehmedoviq, mund të lëvizë me maskë. Pra nuk ka izolim të pacientit.
Mehmedoviq informoi se për momentin, pacientët trajtohen kryesisht në baza ambulantore.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në konferencën e djeshme për media bëri thirrje që të respektohen rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
“Ka rritje të numrit të personave të regjistruar me Kovid në vend, ka pasur edhe një mbledhje të Komisionit për sëmundje infektive dhe kemi konkluzion prej tyre se si duhet të trajtohen – duhet t’iu përmbahemi rregullave – ambiente të hapura, të mos ketë më shumë njerëz në të njëjtin vend, të respektohet higjiena. Megjithatë, pacientët të cilët trajtohen në klinika për sëmundje të caktuar dhe ndërkohë infektohen me kovid, rekomandimet janë që të vazhdojnë trajtimin në të njëjtën klinikë… Shumica e pacientëve me sa duket e kalojnë atë në mënyrë asimptomatike ose me një formë shumë më të lehtë simptomash”, tha ministri në konferencë për shtyp.
Deri më 18 gusht janë raportuar gjithsej 351.364 raste me Covid-19, nga të cilat 23.245 janë riinfeksion. Rasti i parë me koronavirus në vend është regjistruar më 26 shkurt të vitit 2020.
Rritje e të infektuarve me Covid-19, autoritetet apelojnë që të respektohen rekomandimet appeared first on Telegrafi.