Në një pjesë të ndërmarrjeve dhe të firmave në Dibër dhe komunat rurale të rajonit, kohëve të fundit për shkak të problemeve financiare ka një rritje të numrit të punësimeve me kontratë, dhe një ulje të punësimeve me vendime. Kjo situatë diktohet nga udhëheqësit dhe pronarët të subjekteve juridike për të tejkaluar sado pak problemet materiale që kanë ata. Por, duhet theksuar se edhe disa ndërmarrje publike kanë filluar ta praktikojnë këtë “formulë” për të mbijetuar.

Ndërmarrja komunale publike “Standardi”, është një nga subjektet juridike të cilët kanë filluar të përdorin “formulën” të rritjes të punëtorëve me kontratë dhe uljes të punëtorëve me vendime. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Burim Kaba ka informuar se në ndërmarrje ka një ulje të numrit të përgjithshëm të punëtorëve. Ai thekson se ulja e numrit të punëtorëve ka të bëjë me tentimet për të zbutur problemet financiare. Në këtë ndërmarrje para disa viteve kanë qenë të punësuar afro 100 persona, kurse sot numri i të punësuarve me vendime dhe kontratë në vepër është vetëm 77.

“Ka patur të punësuar të cilët janë pensionuar por edhe të punësuar të cilët për shkaqe të ndryshme kanë lëshuar vendin e punës. Jemi munduar që të bëjmë një balancë financiar në dobi të ndërmarrjes. Atëherë kur kemi bë punësime të cilat kanë qenë teje të nevojshme punëtorët i kemi marrë me kontratë në vepër dhe pa i punësuar me vendim për punë të rregullt. Këtu kemi përfituar mjete të cilët kanë një domethënie më të madhe për ndërmarrjen e cila për shkak të borxheve të shumta nga e kaluara vazhdon të ketë sasi të mëdha të borxheve”, thotë drejtori i ndërmarrjes komunale, Burim Kaba. Sipas tij aktualisht nga 77 punëtorë, 28 janë me kontratë kurse 49 janë me vendime.

“Kjo do të thotë se ka një ulje në krahasim me vitin 2022, vitin e kaluar tek punësimet me vendim kurse një rritje e punësimeve me kontratë. Në vitin 2022 kemi patur 19 të punësuar me kontratë në vepër kurse në vitin 2023, 28” thotë Kaba. Në një situatë të këtillë do të ishte korrekt që edhe punëtorët me kontratë të marrin vendime për punë të rregullt.

Kaba shton se kjo do të ndodh në periudhën e ardhshme, meqë aktualisht menjëherë nuk mundet që të pranohen të gjithë në punë të rregullt. Drejtoria e ndërmarrjes komunale sqaron se nga punësimet me kontratë, ndërmarrjes i mbeten shuma të konsiderueshme mjetet për të menaxhuar pasi që mungesa e mjeteve shkakton probleme edhe në punën e përditshme të ndërmarrjes e cila përveç grumbullimit të mbeturinave menaxhon edhe me ujësjellësin Rosok-Dibër.

Por, shembulli i ndërmarrjes komunale nuk është i vetëm. Rritje të numrit të punëtorëve me kontratë gjatë vitit që kaloi ,është prezent edhe tek subjektet e tjera juridike. Për fat të keq kjo ndodh edhe në disa institucione të niveleve të ndryshme. Jo rastësisht këshilltari i opozitës shqiptare në këshillin e komunës, Shkëlqim Xhafa pyeti në një seancë të Këshillit drejtorin e ndërmarrjes komunale nëse dhënia e punës me kontratë lidhet me presionin ndaj punëtorëve nga ana e drejtorisë për të manipuluar në zgjedhjet. Debati në fjalë ishte i shkurtër por po të njëjtën pyetje të Xhafës në adresë të drejtorit të ndërmarrjes e parashtruan edhe disa këshilltarë të tjerë.

Nga drejtoria e ndërmarrjes u demantua qarët se nuk ka manipulime politike. Të theksojmë se në komunën e Dibrës por edhe në komunat rurale për rreth saj pothuajse mbi 40 për qind të punësimeve janë me kontratë edhe atë në institucione qeveritare, lokale, dhe në bizneset e ndryshme./Koha.mk/

Rritet numri i punëtorëve me kontratë në Dibër appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version