Me çdo ekspozim ndaj diellit, kur indeksi i rrezeve ultravjollcë është shumë i lartë, rritet rreziku për zhvillimin e kancereve të lëkurës, shkruan Alsat.
Dermatologët thonë se efektet e menjëhershme të këtyre rrezeve mund të jenë djegia e lëkurës, dehidrimi i organizmit apo infeksionet.
Ndërsa në afat më të gjatë, rrezet ultravjollcë mund të shkaktojnë edhe plakje të lëkurës.
“Më kryesorja është elementi akut, të mos digjet lëkura, sepse përveç këtyre efekteve të menjëhershme që është djegia dhe si komplikim infeksioni që mund t’i ketë pacienti, mund të rritet edhe rreziku për kancerin e lëkurës dhe këtu flas për melanomën, që siç e thash te pacientët që kanë predispozicion, ai predispozicion rritet 50 për qind me çdo djegie të lëkurës. Te ata që kanë më pak rreziqe, duhet të marrin këtu që dielli përveç melanomës, mund të shfaq në efekt kumulativ, domethënë gjatë gjithë jetës ekspozohemi ndaj rrezeve ultraviolet, rritet mundësia për zhvillimin e karcinomave të tjera të lëkurës, që populli i din edhe si kanceri i bardhë”, tha Nora Pollozhani, dermatologe.
Me qëllim shmangien e këtyre efekteve, dermatologët rekomandojnë përdorim të kremit me faktor mbrojtës nga dielli. Pollozhani, thotë se personat që ekspozohen më shumë në diell duhet patjetër ta aplikojnë atë, çdo dy orë.
“Normalisht duhet të përdoret spf 30 minimalisht, mirëpo kur është UV indeksi i lartë, siç do të jetë gjatë këtyre ditëve, preferohet të ketë spf mbrojtës 50. Kështu që për stinën e verës kisha preferuar që të gjithë të përdorin faktor mbrojtës spf 50, për arsye të pozicionimit që i kemi dhe ditët me diell që i kemi gjatë stinës së verës”, theksoi Nora Pollozhani, dermatologe.
Në temperatura ekstrem të larta, kremi mbrojtës mund të mos mjaftojë, prandaj rekomandohet edhe mbajtja e kapelave, çadrave, si dhe mbulimi i pjesës më të madhe të lëkurës me rroba të lehta dhe ngjyre te hapur, si dhe me materiale natyrale./ Alsat.mk
RMV: Temperaturat e larta, ja çfarë rekomandojnë dermatologë për mbrojtje të lëkurës appeared first on Telegrafi.