Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka miratuar propozimin e Komisionit për sëmundje infektive për shpalljen e epidemisë në Shkup, për shkak të rritjes së numrit së rasteve me kollën e keqe.

Të premten, në qytetin e Kumanovës janë regjistruar tri raste të reja dhe një tjetër në Shkup, duke e çuar numrin e të infektuarve në 22, shumë prej tyre janë fëmijë dhe të gjithë të pavaksinuar me DTP – vaksinë kundër difterisë, tetanusit dhe kollës së keqe (pertusis).

Komisioni për sëmundje infektive, që propozoi shpalljen e epidemisë në Shkup, ka rekomanduar që kopshtet dhe shkollat të mos pranojnë fëmijë të pavaksinuar me dozat e nevojshme, si masë për parandalimin e përhapjes së infektimit.

Nga Komisioni thonë për “Radion Evropa e Lirë” se “Qeveria duhet sa më parë të miratojë propozimet që çojnë në drejtim normalizimit të gjendjes, e që përfshijnë para së gjithash masa në kopshtet pasi numri më i madh i të infektuarve janë fëmijë”.

Pavarësisht se vendimi ende nuk ka kaluar në Qeverinë teknike, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski, ka deklaruar se shërbimet inspektuese tashmë kanë nisur kontrollet në kopshte për të përcaktuar numrin e fëmijëve të pavaksinuar, por edhe për t’i udhëzuar drejtuesit e tyre që të mos i pranojnë këta fëmijë.

“Çdo fëmijë që nuk ka marrë një vaksinë të caktuar, nuk do të mund të jetë pjesë e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve. Ne do t’i kontrollojmë kopshtet dhe shërbimet tona inspektuese do të shohin se ku duhet të ndërhyjmë për të parandaluar përhapjen e kësaj epidemie, së paku në Shkup, si pika më e nxehtë në këtë moment”, ka deklaruar Vellkovski, duke paralajmëruar miratimin e rekomandimeve të Komisionit, në mbledhjen e radhës të Qeverisë teknike.

Mjeku infektolog Dragan Danillovski thotë se popullata duhet të jetë e vetëdijshme për domosdonë e vaksinimit të fëmijëve, duke marrë parasysh rrezikun për shëndetin e tyre, pasi sipas tij, ata janë më të goditur nga sëmundjet e frymëmarrjes, në këtë rast nga kolla e keqe.

“Me çfarë mendje, me çfarë zemre, disa prindër vendosin të rrezikojnë fëmijën e tyre që të vuajë për tre muaj nga kolla e keqe, kur vaksinat janë plotësisht të sigurta?! Për mua nuk është humane që, një prind të refuzojë ta vaksinojë fëmijën, ndërsa ta shohë atë duke vuajtur me muaj të tërë. Fëmijët e infektuar kanë kollitje aq të tmerrshme që sa nuk mund të marrin frymë. Rrezikojnë të humbasin jetën nga ngufatja që mund të shkaktojë kollitja”, shpjegon Danillovski.

Ai thotë se refuzimi për t’i vaksinuar fëmijët është, para së gjithash, pasojë e teorive të ndryshme konspirative.

“Kemi rezistencë pasi teoritë e konspiracionit hasen shumë lehtë në rrjetet sociale dhe portale. Përgjegjësi për këtë përveçse sistemit arsimor dhe familjes, mbajnë edhe mjekët e shëndetësisë primare, pasi nëse shkolla e familja bien nga provimi, apo ndikohen nga teoritë e tillë, kjo nuk guxon të ndodhë me mjekët të cilët kanë përgjegjësi të edukojnë pacientët e tyre. Mjekët familjarë janë shndërruar në plotësues të dëshirave, duke u dhënë pacientëve atë që ata duan dhe jo atë që mjekësia parashikon”, vlerëson infektologu Danillovski.

Që të arrihet imunizimi kolektiv duhet të jetë e vaksinuar mbi 95 për qind e popullsisë me të gjitha llojet e vaksinave, ku bëjnë pjesë ato kundër verdhëzës ose hepatitit B, vaksina kundër gripit, vaksina me tre doza kundër difterisë, tetanusit dhe kollës së keqe (DTP ) vaksina MMR kundër fruthit, si dhe ajo kundër virusit papilloma humane (HPV).

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në nivel të shtetit është vaksinuar rreth 83 për qind e popullatës, me tendencë të uljes së mëtejmë, gjë që edhe ka alarmuar institucionet shëndetësore mbi mundësinë e paraqitjes së sëmundjeve tjera infektive./REL/

Rastet me kollën e keqe në Shkup: Qeveria ende pa masa appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version