Edhe këtë dimër vendi shënon rekorde në nivel global sa i përket ajrit të ndotur. Por, qytetarët nuk kanë pasqyrë të qartë se sa helm thithin. Gjithnjë ka disa stacione për matjen e cilësisë ajrit që nuk funksionojnë. Kjo i revolton qytetarët të cilët janë të vetëdijshëm se po thithin ajër të ndotur, e si masë mbrojtëse disa prej tyre kanë përzgjedhur të mbajnë maska. Ata në një anketë për Alsat u bëjnë thirrje autoriteteve të ndërmarrin masa dhe të mendojnë pak më shumë për qytetarët.
“Për shkak të ndonjë mbrojtjeje nuk e di, edhe rekomandimet e mjekëve, unë udhëtoj me autobus, por edhe për shkak të ndotjes… As stacionet matëse nuk punojnë, nëse kjo ka të bëjë me mentalitetin, apo përgjegjësinë, apo njerëzit që janë vendosur në ato pozicione, populli le të gjykojë vetë… “, u shpreh një qytetare.
“Katastrofë, nuk jemi aspak të sigurt…Deri në orën dy nuk mund të hapim dyert nëpër shtëpi që ta ajrosim. Katastrofë, çfarë të ju them”, tha një tjetër qytetar.
“Ajri katastrofë, nuk është në rregull…Çfarë të them mendimi im nuk ju intereson fort, shohin më shumë interesin e vetë, bizneset, se sa ajrin ose njerëzit, popullin, nuk e di si ta them”, nënvizoi një qytetar.
“Varet se cilën pjesë të qytetit, nëse merrni parasysh lagjet që janë jashtë, unë jam në Gjorçe. atje ka ajër më të pasur se sa në këtë pjesë…Do të duhej të gjitha të punojnë që të kemi informacione nëse ajri është i mirë apo jo…E mbaj maskën për t’u mbrojtur”, deklaroi një qytetar.
“Ajër të keq, të keq e marrim… Duhet të marrin masa të pastrojnë disi”, u shpreh një tjetër qytetar.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë, disa herë janë shprehur se stacionet matëse prishen shpejtë për shkak se janë të vjetra, por se vazhdimisht punohet për riparimin e pjesëve të dëmtuara. Por, në portalin e ministrisë asnjëherë nuk kemi tabelë të plotë me të dhënat për cilësinë e ajrit në të gjithë territorin e shtetit. /Alsat.mk
Qytetarët kërkojnë masa për zbutjen e ndotjes në Maqedoni, stacionet për matjen e ajrit shpesh jofunksionalë appeared first on Telegrafi.